Istogu shënon ditën e dëshmorëve
12 prilli, dita e dëshmorëve të UÇK-së në Komunën e Istogut, është shënuar në memorialin e dëshmorëve në fshatin Vrellë. Për betejën e 12 dhe 13 prillit rrëfyen djemtë e Brigadës 133 Adrian Krasniqi. Në betejën ku mbetën të plagosur dhjetëra e ranë 14 dëshmorë u mbrojtën civilët dhe zona e lirë, pas një fushate të egër të forcat serbe.
“Plagët nuk po më sherohen vetë, masi e dij që çikat, djemt, nipat e mbesat janë mirë hiç spo kam dert. Nurije mos u mërzit, jepju gajret fëmijve… Jam i plagosur në dy kamt dhe në shpatullen e djathtë. Po vijnë do zojë e po knojnë mbi mue, e unë po shkojë vetëm çdo minut kah vdekja…”
Kjo letër me këtë porosi është gjetur në xhepin e dëshmorit Muharrem Vuthaj. Për 23 ditë i plagosur, mbijetoi ngjashëm me historinë e Jakup Ferrit, e në fund dha shpirt në oborrin e shtëpisë.
Bashkë me Muharremin më 12 prill 1999, në malet e Vrellës në mbrojtje të civilëve e zonës së lirë, luftuan shumë djem me uniformë të UÇK-së, pjesë e Brigadës 133 Adrian Krasniqi.
“Pas një kohë që kanë filluar me granatime e kanë pëdrorur një metodë më strategjike sipas tyre që të na sulmojnë edhe tentojnë me na thy pozicionet tona. Edhe ajo pikë fokusi ka qenë prej bjeshkës e kanë përfshi një territor të gjerë”, ka deklaruar Shasivar Haxhijaj – Ish-ushtar i UÇK-së.
Beteja për të cilën po flet Shasivari zgjati edhe të nesërmen, ofensiva ishte e ashpër, la edhe dhjetëra të plagosur e dëshmorë.
“Këtu pak më lart më 12 prill 1999 kanë rënë nëntë dëshmorë, njëri prej tyre edhe babai im. Hiq më i lehtë nuk ka qenë i 13, më 13 Istogu i ka humbur pesë prej njerëzve më të mirë të tyre”, ka deklaruar Valon Dervishaj – Përfaqësues i familjarëve të dëshmorëve
Protagonist të luftës, e familjar të dëshmorëve u bënë bashkë pikërisht në vendin ku u bë rezistenca, tash në shënim të ditës së dëshmorëve.
“Është privilegj që edhe në emër të Komunës së Istogut të festojmë dhe të përkujtojmë të gjithë dëshmorët e Komunës së Istogut duke ju thurrur lavdi të gjitëh dëshmorëve”, ka deklaruar Ali Nimanaj, Nënkryetar i Istogut
“U tha në fjalën hyrëse se ky manifestim mbahet nën patronatin e kryetarit të Komunës, ju lutem. Kryetari i agjendës duhet ta përshtat agjendën me këtë datë. Kryetari i komunës detyrë të parë dueht ta ketë që të jetë këtu”, ka deklaruar Idriz Blakaj, Iniciatori i memorialit për dëshmorët.
Kjo nuk ishte kritika e vetme e Blakajt, ai hodhi akuza edhe për fryrjen e listave të veteranëve.
“Mbi 1500 veteranë i ka Komuna e Istogut që marrin pension të vogël të lartë sado që është. Ku janë veteranët e Istogut, është turpi më i madh për ata që e marrin pensionin e veteranit dhe nuk janë këtu me i nderu dëshmorët”, ka vijuar Blakaj.
Blakaj shprehu keqardhje që edhe në këtë përvjetor, në këtë memorial nuk janë trupat e 51 dëshmorëve të cilët janë të varrosur në një vend tjetër. Për shkak të dyshimeve se në listën e dëshmorëve ka edhe persona që nuk janë të tillë, ky proces është bllokuar.