Istogu synon të hyjë në histori, Vushtrria kërkon rikthimin e titullit

22 maj 2019 | 12:10

Në konkurrencën e femrave trofeun e kërkojnë Istogu dhe Vushtrria. Skuadra nga Rrafshi i Dukagjinit po synon të hyjë në histori duke e fituar titullin, kurse Vushtrria beson se do ta rikthejë trofeun e më të mirit.

Ashtu sikurse në konkurrencën e meshkujve, edhe në atë të femrave gara për titull është mjaft e fortë. Dy skuadrat finaliste, Istogu dhe Vushtrria, po synojnë të dalin triumfuese. Sipas trajnerit të Istogut, Frauk Shala, është koha që skuadra e tij ta bëjë hapin e radhës duke e fituar për herë të parë titullin e kampionit në Superligë. Shala ka thënë se përkrahja për vashat që ai i drejton nuk po mungon dhe se do të jetë e madhe edhe të mërkurën në Palestrën “Karagaçi”.

“Tani është koha për hapin e radhës. Qyteti i Istogut meriton të ketë skuadër kampione dhe ne do të japim çdo gjë që të arrijmë këtë objektiv. Jemi të vetëdijshëm se do ta kemi vështirë, përpara kemi një skuadër me traditë dhe përvojë, por kam besim në kualitetin e skuadrës sonë. Mendoj se skuadra e Istogut është më cilësore dhe ka synim vetëm fitoren. Vushtrria është e motivuar, por të motivuar jemi edhe ne. Asnjëherë nuk kemi qenë më afër titullit. E kemi edhe përkrahjen e publikut në Pejë. I gjithë qyteti i Istogut është pranë nesh. Këto vajza nuk i kanë zhgënjyer qytetarët asnjëherë dhe kështu do të jetë edhe në finale”, ka deklaruar Shala.

Pavarësisht se Vushtrria ka pësuar humbje në finale të Kupës nga Istogu, trajneri i kësaj skuadre, Arben Parduzi, vazhdon të jetë optimist për finalet e titullit. Trajneri Parduzi beson se Vushtrria do të festojë. “E dimë që Istogu ka skuadër cilësore, por ne si klub i kemi synimet tona për titull të kampionit. Vashat janë shumë të motivuara dhe shpresojmë në paraqitje të mirë qysh në ndeshjen e parë në Pejë. Kështu do ta presim ndeshjen e dytë në Vushtrri, në një atmosferë të zjarrtë dhe ta festojmë titullin e kampionit”, ka thënë Parduzi.

Ndeshja e parë në mes këtyre dy skuadrave zhvillohet sot (e mërkurë) në Pejë nga ora 18:00.

/Epoka e re/ 

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Fabian von der Mark Koalicioni i madh që qeveris Gjermaninë,…