Istrefi falënderon presidentin Thaçi e kryeparlamentarin Veseli për vlerësimin e Epopesë së Melenicës
Kryeshefi Ekzekutiv i Telekomit të Kosovës, Bedri Istrefi, njëherësh vëllai i dëshmorit të kombit Shemsi Istrefi, përmes një postimi në “Facebook”, ka falënderuar presidentin Thaçi, kryeparlamentarin Veseli dhe të pranishmit tjerë të cilët kanë nderuar veprën e dëshmorëve të Kosovës të rënë në Betejen e Melenicës.
Istrefi ka falënderuar presidentin Thaçi për dekorimin me urdhërin ‘Hero i Kosovës’ të vëllait të tij Shemsi Istrefit dhe bashkëluftëtarëve të tij.
Postimi i plotë i Istrefit:
Nën patronatin e kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Kadri Veseli, sot është organizuar akademi përkujtimore, për të kujtuar dhe nderuar dëshmorët e Epopesë së Melenicës.
Akademia përkujtimore është mbajtur në Teatrin Kombëtar, në Prishtinë, dhe më këtë rast, me iniciativën e z. Kadri Veseli, Presidenti i Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi dekoroi dëshmorin Shemsi Xhafer Istrefi me Urdhrin “Hero i Kosovës”, për trimëri dhe sakrificë për lirinë e Kosovës.
Dua të shpreh mirënjohjen time më të thellë për sakrificën dhe veprën më fisnike të dëshmorëve të Epopesë së Melenicës, të cilët dhanë jetën për lirinë dhe ardhmërinë e Kosovës.
Lavdi e përjetshme!