Istrefi: Qeveria do të humbë keq në betejën e saj me mediet
Qeveria do ta humbë betejën që në fillimet e saja, thotë Dibran Istrefi nga TV Dukagjini.
Ai, në “Debat Plus”, tha se me miratimin e ligjit për KPM-në, Qeveria ka tendenca të qarta për kontrollimin e medieve.
Sipas tij, Qeveria me këto veprime tregon cenim “brutal të demokracisë në Kosovë”.
“Kjo është betejë që Qeveria e humb, betejën e humb në start. E kam lexu ligjin, tendencat janë të qarta, fakti që këtu ka përshkallëzim të mandateve, rritje të anëtarëve prej 7 në 11, e shpërfaq qëllimin e tyre. Shto këtu kontrollin e mediave online dhe licencimit, këtu është një nga parimet bazë që shkelet, është çështja e vetërregullimit. Direktivat e BE flasin qartë, mediat ia lënë vetërregullimin. Tash çka po synohet, është e qartë, ka nivel të gjobave deri 40 mijë euro. Ky është rreziku për cenim brutal të demokracisë. Kjo është betejë që do e humb Qeveria dhe do e humb keq. Ky ligj me këtë përmbajtje, për KPM është në dëm të demokracisë, niveli i demokracisë nuk e lejon një ndërhyrje kaq brutale”, tha ai.