Istrefi: Telekomi i Kosovës po ecën në drejtimin e duhur
Kryeshefi ekzekutiv i Telekomit të Kosovës, Bedri Istrefi, ka bërë me dije se gjatë festës se Kurban Bajramit sistemi operativ i “Vala”-s ka qenë stabil dhe nuk ka pasur asnjë problem teknik.
Me këtë rast, Istrefi ka falënderuar ekipet e Telekomit të Kosovës për punën dhe angazhimin e tyre, duke mundësuar shërbime cilësore dhe komunikim të pandërprerë.
“Ashtu siç jam zotuar ditë më parë se, të gjithë së bashku, do të krijojmë stabilitet teknik të sistemit operativ, ashtu edhe ndodhi, gjatë festës së Kurban Bajramit! Në këto dy ditë festive, kur kemi fluks të shtuar të bashkatdhetarëve tanë që vizitojnë Kosovën, të gjithë konsumatorët dhe vizitorët e rrjetit mobil ‘Vala’ kanë mundur të komunikojnë, dërgojnë SMS dhe shfrytëzojnë internetin e shpejtë ‘4G’ pa pengesa, ndonëse trafiku ka qenë shumë më i madh se ditëve të zakonshme. Dua të falënderoj të gjitha ekipet teknike të Telekomit të Kosovës që kanë kujdestaruar dhe që me punën dhe përkushtimin e tyre, garantojnë cilësi të shërbimeve dhe komunikim të pandërprerë për të gjithë konsumatorët tanë. Telekomi i Kosovës po ecën në drejtimin e duhur!”, ka shkruar Istrefi në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/