Isufi: Nuk ndihem triumfues ndaj trajnerëve nga Shqipëria

15 gusht 2018 | 19:12

Sukseset e Dritës e bëjnë krenar Bekim Isufin, i cili, në këtë intervistë për “Epokën e re”, ka thënë se nuk është triumfues ndaj trajnerëve nga Shqipëria. Megjithatë, ka thënë se trajnerët e Kosovës për nga kualiteti nuk kanë dallim me ata të Shqipërisë dhe rajonit. Ndërsa lidhur me të ardhmen e vet, Isufi ka refuzuar të japë një përgjigje.

Bekim Isufi është treguar trajner modest dhe njeri i matur lidhur me pyetjen se a ndihet triumfues ndaj trajnerëve nga Shqipëria: Mirel Josa, Gushagsh Magani dhe Sulejman Starova. Isufi ka vlerësuar se triumfues ishin lojtarët e Dritës ndaj atyre të Prishtinës, Trepçës ’89 dhe Feronikelit. “Mendoj se ata kanë sjellë shumë seriozitet, kualitet dhe se janë shumë të rëndësishëm për futbollin e Kosovës. Unë nuk kam dalë triumfues ndaj tyre, por lojtarët e Dritës kanë dalë triumfues ndaj lojtarëve të Prishtinës, Trepçës ’89 apo Feronikelit”, ka thënë Isufi.

Fotografia e Bekim Isufi

 “Epoka e re”: Drita, pas titullit të kampiones dhe pjesëmarrjes në Evropë, e arriti edhe një sukses tjetër, duke e fituar Superkupën. Sa ishte e vështirë triumfi ndaj një kundërshtari siç është Prishtina?Isufi: Kur luan ndaj Prishtinës në fushën e saj, por edhe pas konkurrencës që kemi pasur në kampionat, është mjaft e vështirë, por mendoj se në fund me meritë kemi triumfuar. Pjesa e parë ka qenë shumë e dobët, pasi kërkesat që i kemi parashtruar para ndeshjes nuk janë zbatuar, por e mira ishte se në anën tjetër Prishtina nuk i ka shfrytëzuar rastet që kishte. Në pjesën e dytë kërkesat kanë qenë të njëjta dhe janë realizuar. Ne e morëm kontrollin e lojës dhe me meritë lojtarët e Dritës e fituan Superkupën.

“Epoka e re”: Stadiumi ishte i mbushur me shikues. Cilat ishin emocionet e juaja si trajner në ndeshjen e parë në stadiumin e rinovuar që tash mban emrin e legjendës Fadil Vokrri?
Isufi: Për herë të parë në këtë stadium e ndien veten se je trajner, lojtar, shikues dhe njeri i rëndësishëm. Pas sa vitesh dëshmohet se ka garë, kemi kampion dhe kulturë sportive, sidomos në një stadium që e ka emrin e Fadil Vokrrit, i cili përjetësisht do t’i ketë meritat për gjithë atë që ka bërë për sportin e Kosovës.

“Epoka e re”: Drita pati paraqitje të mira në debutimin e saj ndërkombëtar. Cili është komenti juaj?
Isufi: Ka qenë një përvojë e mirë ku kemi dhënë dhe marrë maksimumin në garat evropiane. Në ndeshjen ndaj Dudelanges me pak fat dhe me një organizim më të mirë kemi mundur ta kalojmë në raundin tjetër. Megjithatë, kemi arritur objektivat që kemi pasur si klub dhe si Kosovë, duke shkuar shumë lart dhe duke ia siguruar edhe një tjetër ekipi nga Kosova pjesëmarrjen në garat evropiane.

Fotografia e Bekim Isufi

“Epoka e re”: Pas Superkupës, a synon Drita mbrojtjen e titullit?
Isufi: Jo vetëm Drita, por edhe shumë klube të tjera në Kosovë synojnë titullin në edicionin e ri.

 “Epoka e re”: Trajner, në edicionin e fundit ka pasur shumë debat lidhur me trajnerët e ardhur nga Shqipëria të cilët kanë përvojë të madhe. Ju, edhe pse trajner i ri, keni arritur të dilni triumfues ndaj tyre…
Isufi: Mendoj se ata kanë sjellë shumë seriozitet, kualitet dhe se janë shumë të rëndësishëm për futbollin e Kosovës. Unë nuk kam dalë triumfues ndaj tyre, por lojtarët e Dritës kanë dalë triumfues ndaj lojtarëve të Prishtinës, Trepçës ’89 apo Feronikelit.

“Epoka e re”: Megjithatë, nga pozicioni i trajnerit edhe ju keni që fitues ndaj trajnerëve nga Shqipëria?
Isufi: Kjo le të debatohet më ndryshe, por ajo që mendoj është se ata janë kolegë shumë të mirë dhe se kanë sjellë shumë kualitet në futbollin tonë. Dikush duhet të humbë në futboll e dikush të fitojë, kurse unë kisha fatin të jam trajner i Dritës.

 “Epoka e re”: A mendoni se kualiteti në mes të trajnerëve në Kosovë dhe atyre në Shqipëri nuk është i madh?
Isufi: Trajnerët në Kosovë me kushtet dhe mundësitë që kanë e marrin maksimumin. Nuk kemi dallim me trajnerët e Shqipërisë apo të rajonit, por kjo varet shumë edhe me kushtet ku punon dhe jeton.

“Epoka e re”: A do të jetë Bekim Isufi në krye të Dritës sërish në edicionin e ri?
Isufi: Nuk përgjigjem në këtë pyetje, pasi është bërë shumë tabu.

“Epoka e re”: A do të thotë kjo se ende nuk keni arritur ndonjë marrëveshje me drejtuesit e klubit?Isufi: Nuk është dashur të më bëhet kjo pyetje dhe nuk dua të jap përgjigje.

 “Epoka e re”: Afati kalimtar është ende i hapur, por a i ka përfunduar ende të gjitha transferimet skuadra e Dritës?
Isufi: Drejtori dhe klubi janë duke negociuar me shumë lojtarë, por të shohim çka do të ndodhë në ditët e ardhshme. Tash për tash jemi të kënaqur me lojtarët që kemi.

/Veton ZYMBERI/

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zinedine Zidane mund të jetë pasardhës i Jose Mourinhos në…