Isufi: Opozita e çakorduar nuk paraqet rrezik për Qeverinë Haradinaj
Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ahmet Isufi, ka thënë se Qeveria Haradinaj gjatë punës së vet njëvjeçare ka treguar kulturë ndryshe të qeverisjes nga ato paraprake.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka vlerësuar se kjo qeveri është treguar e suksesshme në bazë të hapave që ka ndërmarrë.
“Është një qeverisje krejt ndryshe në krahasim me të gjitha qeveritë e tjera. Kemi vendime konkrete të cilat kanë favorizuar Kosovën në shumë aspekte. Kjo Qeveri ka zgjidhur çështjen e demarkacionit me Malin e Zi si dhe ka përafruar procesin e liberalizimit të vizave. Prandaj konsiderojmë se është qeveri shumë e suksesshme duke pasur parasysh hapat që i ka ndërmarrë në të gjitha aspektet”, ka deklaruar Isufi.
Ai ka thënë se ky kabinet qeveritar ka krijuar disiplinë dhe angazhim praktik në të gjitha sferat e qeverisjes.
Prej të arriturave të saj, Isufi ka konsideruar vendimin për Termocentralin “Kosova e Re”, Ligjin për Prishtinën, Projektligjin për Pagat dhe Projektligjin për reformimin e administratës publike.
“Ka hapa konkretë të cilët kanë ndodhur, siç është vendimi për Termocentralin ‘Kosova e Re’, që është një investim prej 1 miliard e 300 milionë eurosh. Pastaj vendimet e tjera që kanë pasur të bëjnë me ligjet të cilat nuk janë aprovuar për 18 vjet me radhë, siç ka qenë Ligji për Prishtinën. Po ashtu, është zgjidhur çështja e Pallatit të Rinisë. I është dhënë zgjidhje çështjes së Hades dhe Shipitullës meqë Kosova rrezikonte të shkojë në krizë energjetike. Ka pasur vendime të cilat kanë favorizuar qytetarët e Kosovës. Janë ndërmarrë hapa jashtëzakonisht të mirë për këtë periudhë të shkurtër”, është shprehur ai.
Sipas Isufit, nëse Qeveria Haradinaj vazhdon me këtë ritëm të punës, do ta çojë deri në fund mandatin qeverisës. Në këtë kontekst, ai ka thënë se një opozitë e çakorduar çfarë është aktualisht nuk paraqet rrezik për Qeverinë Haradinaj.
“Opozita nuk është në pozitë të mirë sepse ka divergjenca dhe ka s’përputhje në mes të kërkesave të tyre dhe qëllimit për ta ndryshuar gjendjen. Prandaj një opozitë e çakorduar çfarë është tani nuk paraqet rrezik për Qeverinë Haradinaj”, ka theksuar Isufi.
“Epoka e re”: Z. Isufi, është bërë një vit prej se Qeveria Haradinaj ka ardhur në krye të vendit. Cili është bilanci për këta 12 muaj të qeverisjes?
Isufi: Është një qeverisje krejt ndryshe në krahasim me të gjitha qeveritë e tjera. Kemi vendime konkrete të cilat kanë favorizuar Kosovën në shumë aspekte. Kjo Qeveri ka zgjidhur çështjen e demarkacionit me Malin e Zi si dhe ka përafruar procesin e liberalizimit të vizave. Prandaj, konsiderojmë se është Qeveri shumë e suksesshme duke pasur parasysh hapat që i ka ndërmarrë në të gjitha aspektet.
“Epoka e re”: Ju po e quani Qeveri të suksesshme, por në kohën për të cilën po flasim nuk ka pasur krijim të vendeve të reja të punës, zhvillim ekonomik, rritje të numrit të njohjeve. E gjithë vëmendja, si duket, është përqendruar në dialogun me Serbinë. Sipas jush, cilat kanë qenë të arriturat dhe dështimet e Qeverisë gjatë këtij viti?
Isufi: Ka hapa konkretë të cilët kanë ndodhur, siç është vendimi për Termocentralin “Kosova e Re”, që është një investim prej 1 miliard e 300 milionë eurosh. Pastaj vendimet e tjera që kanë pasur të bëjnë me ligjet të cilat nuk janë aprovuar për 18 vjet me radhë, siç ka qenë Ligji për Prishtinën. Po ashtu është zgjidhur çështja e Pallatit të Rinisë. I është dhënë zgjidhje çështjes së Hades dhe Shipitullës meqë Kosova rrezikonte të shkojë në krizë energjetike. Ka pasur vendime të cilat kanë favorizuar qytetarët e Kosovës. Janë ndërmarrë hapa jashtëzakonisht të mirë për këtë periudhë të shkurtër.
“Epoka e re”: Liderët e koalicionit qeverisës në vazhdimësi kanë thënë se kjo Qeveri do të jetë e vendimeve të mëdha, megjithatë për këtë periudhë nuk ka vendime të tilla, me përjashtim të zgjidhjes së çështjes së demarkacionit me Malin e Zi. Qytetarët mund të presin se këto vendime do të merren në periudhën e ardhshme qeverisëse?
Isufi: Janë marrë vendime të mëdha dhe disa prej tyre i përmenda më lart. Qeveria Haradinaj ka ngritur pagat në shumë sektorë, madje ka miratuar edhe Projektligjin për pagat i cili është proceduar në Kuvend dhe ky është një tregues për suksesin e kësaj qeverie. Njëkohësisht kemi të bëjmë edhe me angazhimet të cilat do të jenë në të ardhmen, sidomos në sektorin e ekonomisë dhe në sektorë të tjerë.
“Epoka e re”: Disa prej vendimeve të cilat i ka marrë kjo Qeveri dhe që ju i përmendet nga opozita dhe shoqëria civile janë konsideruar si skandale, siç ka qenë vendimi për rritjen e pagës së kryeministrit dhe kabinetit qeveritar, vendimi për faljen e borxheve për ambalazhuesit e ujit, dhënia e 53 milionë euro “Bektel Enka” dhe të tjera. Po ashtu, Qeveria është kritikuar edhe për numrin e madh të ministrave dhe zëvendësministrave.
Isufi: Vendimet e Qeverisë nuk i pëlqejnë sidomos opozitës, megjithatë janë vendime që ndikojnë në përmirësimin e jetës së qytetarëve. Natyrisht se kur merren shumë vendime, ndonjë edhe mund të jetë jopopullor. Por, gjërat në total duhet të shikohen, dhe jo në mënyrë të njëanshme.
“Epoka e re”: Cilat janë tri të arriturat kryesore të Qeverisë Haradinaj?
Isufi: Kjo Qeveri që nga dita e parë kur ka filluar punën ka krijuar disiplinë dhe angazhim më praktikë në të gjitha sferat sa i përket qeverisjes. E dyta është raporti i nivelit qendror me komunat të cilat janë vlerësuar dhe trajtuar njësoj, pavarësisht prej dallimeve politike të së kaluarës. Pastaj është Termocentrali “Kosova e Re” dhe Ligji për Prishtinën që ka pritur 18 vjet për aprovim.
“Epoka e re”: Qeveria Haradinaj është në presionin e numrave duke pasur në Kuvend shumicën e thjeshtë prej 61 votave, por që shpeshherë ka munguar edhe kjo shumicë. Do të jetë i mundur funksionimi i kësaj qeveri deri në fund të mandatit me këta numra?
Isufi: Është e vërtetë se çështja e numrave është delikate në këtë periudhë por, krahasuar me periudhat e tjera, vërehet një dallim sepse ka pasur koalicione me mbi 80 vota, por nuk kanë qëndruar dhe janë shembur. Kurse Qeveria Haradinaj vetëm me punë e argumenton ekzistencën e vet. Nëse vazhdon të punojë me këtë ritëm, do ta përfundojë mandatin qeverisës sepse qytetarët janë të interesuar të ketë punë dhe të ketë motiv për ta shtyrë Kosovën përpara.
“Epoka e re”: S’ka ndonjë rrezik nga opozita që ka paralajmëruar inicimin e një mocioni të mosbesimit ndaj kësaj Qeverie?
Isufi: Opozita nuk është në pozitë të mirë sepse ka divergjenca dhe ka s’përputhje në mes të kërkesave dhe qëllimit për të ndryshuar gjendjen. Prandaj një opozitë e çakorduar çfarë është tani nuk paraqet rrezik për Qeverinë Haradinaj.
“Epoka e re”: Z. Isufi, do të kemi ndryshim të qasjes së Qeverisë për të bashkëpunuar me opozitën meqë përpara tyre është një numër i konsideruar i problemeve madhore që kërkojnë zgjidhje?
Isufi: Në vazhdimësi jemi në komunikim me opozitën, sidomos për çështjet kapitale të vendit, siç është dialogu dhe liberalizimi i vizave, për të cilat duhet bashkëpunim më i madh. Për çështjet që kanë të bëjnë me interesat e shtetit të Kosovës pozita dhe opozita duhet të jenë bashkë sepse vetëm në mënyrë të tillë mund t’i arrijmë objektivat tona si Kosovë. Prandaj kërkojmë nga opozita të jetë më reflektuese dhe të heqë dorë nga interesat e ngushta partiake për shkak se shteti është në pyetje, sidomos kur bëhet fjalë për miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.
“Epoka e re”: Cili do të jetë fokusi i kësaj Qeverie në 12 muajt e ardhshëm?
Isufi: Aktualisht është duke u bërë një angazhim i jashtëzakonshëm që të kemi një administratë shumë më efikase dhe tashmë projektligjet që kanë të bëjnë me konsolidimin dhe reformimin e administratës janë miratuar. Qeveri po bën punë të madhe edhe në infrastrukturën rrugore, në mënyrë që të hapet mundësia dhe buxheti në të ardhmen të shfrytëzohet për sektorin e ekonomisë, bujqësisë, turizmit, sportit, kulturës, arsimit, shëndetësisë dhe të gjitha sferave të tjera. Besoj se në të ardhmen do të ketë një angazhim më të madh, sidomos për shpërndarjen e mirë të buxhetit sa iu përket komunave.
“Epoka e re”: Do të ketë fokus edhe në aspektin e jashtëm, pra në arenën ndërkombëtare meqë, si duket, në vitin e parë të Qeverisë Haradinaj politika e jashtme ka mbetur pa trajtimin e duhur.
Isufi: Tani do të ketë një ofensivë sa i përket politikës së jashtme, sepse është faza kur duhet të arrihet marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë. Por, Serbia ende po e mban një frymë të politikës së Millosheviqit e cila ende Kosovën e mban në Kushtetutën e vet dhe është një proces shumë i vështirë, prandaj duhet të ketë një angazhim të përbashkët të të gjitha forcave politike dhe institucionale në Kosovë. Duhet të ketë një konsensus për çështjet madhore në mënyrë që edhe politika e jashtme të jetë frytdhënëse sa iu përket integrimeve që e presin Kosovën. Serbia nuk po heq dorë edhe më tutje duke penguar Kosovën qoftë për t’u anëtarësuar në mekanizmat ndërkombëtarë. Dhe, kjo tregon fytyrën e vërtetë të Serbisë, e cila nuk është duke u këndellur për t’u ballafaquar me të vërtetën.
Shqipe HETEMI