Isufi: Preferencat e AAK-së për koalicion janë Nisma dhe PSD-ja
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ahmet Isufi, ka bërë me dije se preferenca e kësaj partie për koalicione parazgjedhore është me Nismën dhe PSD-në.
Ai ka thënë se AAK-ja nuk ka vija të kuqe me asnjë parti politike. “Fillimisht në kemi thënë që do të dalim si subjekt i veçantë, por nëse ka nevojë që të bëhen koalicione atëherë shkojmë me partitë me të cilat kemi pasur një traditë të angazhimit tonë të përbashkët siç është Nisma, po ashtu edhe me PSD-në për shkak të konstruktivitetit që ka treguar në këto angazhime, sidomos me aprovimin e ligjeve të rëndësishme të cilat kanë qenë për Kosovën. Po ashtu, edhe ndonjë parti tjetër e cila mund të jetë pjesë e angazhimit, por kjo do të shihet në ditët në vijim se cilat janë orientimet e partive tjera të cilat duan t’i bashkohen Aleancës. Nuk kemi vija të kuqe me asnjë parti, por që kemi me dikën afrim më shumë e me dikë kemi distancë”, ka deklaruar Isufi, në një intervistë për “Ekonomia Online”
Ai ka treguar se Ramush Haradinaj do të jetë kandidat i pakontestueshëm për kryeministër.
“Unë besoj që të gjitha partitë politike janë bindur se kryeministër, i cili mbron interesat e Kosovës, është i vendosur në vendimet të cilat e favorizojnë shtetin e forcojnë është kryeministri Ramush Haradinaj. Prandaj asnjë drejtim as një dilemë nuk ekziston, sepse megjithatë gjatë qeverisjes dyvjeçare ka treguar që është burrështetas i cili merr vendime të rëndësishme dhe vihet në kundërshtim të atyre interesave të cilat mund ta dobësojnë Kosovës”, ka deklaruar Isufi.