Italia e Gjermania mbështesin heqjen e masave ndaj Kosovës
Gjermania dhe Italia kanë shprehur mbështetje për heqjen e masave të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës.
Ndonëse të dyja kanë shprehur që vendimi për këtë u takon vendeve të BE-së.
Ambasada e Gjermanisë në Kosovë kanë deklaruar se vendet e BE-së duhet të binden se është krijuar klima për heqjen e këtyre masave.
“Siç ka thënë vazhdimisht ambasadori gjerman në Kosovë, Gjermania mbështet heqjen e masave ndaj Kosovës. Vendimi tani u takon vendeve anëtare të BE-së. Megjithatë, të gjitha vendet anëtare të BE-së duhet të binden se është krijuar klima e nevojshme e favorshme për të arritur konsensusin e kërkuar”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës gjermane.
Edhe Ambasada e Italisë në një përgjigje për Telegrafin kanë deklaruar se Italia mbështet heqjen e masave, duke theksuar se kjo duhet të bëhet gradualisht në përputhje me konkluzionet e miratuara në dhjetor në Bruksel.
“Italia mbështet heqjen e masave të miratuara nga BE-ja për Kosovën, dhe në përputhje me konkluzionet e miratuara nga Këshilli në Bruksel në dhjetor, beson se kjo duhet të bëhet gradualisht”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës italiane.
Ndryshe, shumica e shteteve të BE-së ishin në favor të heqjes së plotë të këtyre masave, siç edhe ka rekomanduar Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, në raportin që u dorëzoi vendeve anëtare më 18 qershor.
Aktualisht ende nuk ka ndonjë vendim nga ana e Bashkimit Evropian për këtë çështje.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano një ditë më parë i tha Telegrafit se po vazhdojnë diskutimet për heqjen apo jo të këtyre masave.
“Përfaqësuesi i Lartë rekomandoi heqjen e masave për Kosovën, siç theksoi ai në konferencën për shtyp më 24 qershor 2024. Diskutimet në Këshill vazhdojnë”, ka deklaruar Stano.
Ndër masat e BE-së janë suspendimi i përkohësisht i punës së trupave të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. Kosova, po ashtu, nuk ftohet në ngjarjet e nivelit të lartë dhe vizitat bilaterale janë suspenduar, përveç atyre që fokusohen në adresimin e krizës në veri të Kosovë në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja.