Italia i bën thirrje Francës për hapje të pikave kufitare
Zëvendëskryeministri i Italisë, Matteo Salvini ka thënë të martën se Franca duhet të tregojë më shumë “solidaritet” në çështjen e migrimit dhe të pezullojë politikën e kthimit të migrantëve që tentojnë në hyjnë në Francë përmes kalimit në pikën kufitare, Ventimiglia, transmeton Reuters.
Presidenti francez, Emmanuel Macron “është personi i parë që duhet të tregojë solidaritet dhe ndjeshmëri për rihapje të kufirit në Ventimiglia”, ka thënë Salvini pasi është takuar me kryeministrin hungarez, Viktor Orban në Milano.
Salvini ka thënë po ashtu se janë duke vazhduar bisedimet me Gjermaninë dhe se shumë shpejt mund të arrihet një marrëveshje për të kthyer migrantët që shkojnë në këtë shtet përmes Italisë.
“Gjëja më e rëndësishme për Italinë është që të ketë zero-shkëmbim, që i bie se ne jemi të gatshëm të kthejmë në shtetin tonë migrantët e përfshirë në lëvizjet sekondare, për aq kohë sa numri i njëjtë i migrantëve largohet nga shteti ynë”, është shprehur Salvini.