Italia ia njeh vetes pak merita për marrëveshjen, Tajani: Rezultat i vizitës time në Kosovë e Serbi
Ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani, ka reaguar pas lajmit se është arritur marrëveshje për targat në mes Kosovës dhe Serbisë.
Me anë të një postimi në “Twitter”, Tajani këtë marrëveshje e ka cilësuar si hap të rëndësishëm drejt paqes.
“Gjatë vizitës time të martën në Beograd dhe Prishtinë së bashku me Gudio Crosetto, dëgjuam qëndrimet e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. U kërkova atyre që të zbusin tensionet. Arritja e marrëveshjes dje në nivel të BE-së, është një hap i rëndësishëm drejt paqes. Urime për Josep Borrell”.
“Kemi të bëjmë me rezultatin e parë konkret të misionit që zhvillova të martën me ministrin Crosetto në të dy vendet, për ta mbështetur procesin e paqes në një moment të tensionimit të madh. Tani është e nevojshme të vazhdohet në rrugën e dialogut dhe të normalizimit të plotë të raporteve mes dy vendeve. E ardhmja e Ballkanit është në Evropë. Italia është e gatshme ta luajë rolin e protagonisten në rajonin në fjalë”, ka shkruar Tajani.
Mbrëmë kryediplomati evropian, Joseph Borrell ka deklaruar se është arritur marrëveshja në mes të Kosovës dhe Serbisë, sa i përket normalizimit të situatës pas tensioneve të fundit në veri.
Borrelli është deklaruar mbrëmë rreth marrëveshjes së arritur në Bruksel mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimit dhe Petar Petkoviq.
Sipas Borrell, palët e lartcekura kanë rënë dakord për masat që duhet të ndërmarrin për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm dhe për t’u përqendruar plotësisht në propozimin për normalizimin e marrëdhënieve të tyre, bazuar në prezantimin që ju është bërë palëve në shtator të këtij viti nga BE-ja, propozim ky i mbështetur nga Franca dhe Gjermania.
#Serbia #Kosovo Ho appena sentito @avucic e @albinkurti. Martedì, durante la missione con @GuidoCrosetto a Belgrado e Pristina, avevo chiesto loro di allentare le tensioni. L'accordo raggiunto ieri a livello UE è un passo importante per la pace. Congratulazioni a @JosepBorrellF.
— Antonio Tajani (@Antonio_Tajani) November 24, 2022