Italia, Japonia dhe Britania bashkojnë forcat për të prodhuar “super-bishën” ushtarake fluturuese
Italia, Japonia dhe Britania kanë bashkuar forcat duke hedhur firmat në letër për një projekt që konsiston në projektimin dhe prodhimin e një avioni luftarak të gjeneratës së ardhshme.
Kodi i programit të mbrojtjes së të tre vendeve është “Programi Global Combat Air”.
Ministrat e Mbrojtjes të të tre vendeve ranë dakord të enjten që programi “Global Combat Air” të ecër përpara për ndërtimin e avionit luftarak të avancuar, i cili bashkon dizajnin e luftëtarit japonez FX që zëvendësoi avionët F-2 të Forcave Ajrore Japoneze me atë të luftëtarit britanik Tempest.
Avioni parashikohet të jetë gati për të fluturuar në 2035, teksa të trija vendet dëshirojnë të forcojnë bashkëpunimin e tyre në këtë fushë, për të përballuar kërcënimet në rritje nga Kina, Rusia dhe Koreja e Veriut.
Sipas planit, konsorciumi, i quajtur Programi Global Combat Air, do të përfshijë kompaninë “Mitsubishi Heavy Industries” të Japonisë, “BAE Systems PLC” të Britanisë dhe “Leonardo” të Italisë. Ai do të mbikëqyrë ecurinë e punës për zhvillimin e avionit, ndërsa do të punojnë për realizimin e objektivit qindra punëtorë nga të tre vendet, duke pasur ndarje të përgjegjësive.
Projekti i përbashkët do të jetë me bazë në Britani, ndërsa zyrtarët nga të tre vendet do të marrin pozicionet e përgjegjësisë me rotacion. Ky program specifik zhvillimi është i pari në historinë e Japonisë, ku ajo merr pjesë në zhvillimin dhe eksportin e sistemeve të armëve së bashku me vende të tjera, pasi Kushtetuta e saj e pasluftës vendos kufizime për aktivitete të tilla.
Kjo është gjithashtu çështja më e madhe që preokupon aktualisht Tokion, pasi qeveria kohët e fundit po përpiqet ta kapërcejë këtë pengesë, duke argumentuar se kushtet gjeopolitike dhe përparimet në teknologjinë e mbrojtjes, veçanërisht forcat ajrore, si Rusia dhe Kina, e detyrojnë Japoninë të marrë masat e nevojshme së bashku me vendet partnere.