Italia njeh patentëshoferët shqiptarë
Nesër në Itali do të nënshkruhet marrëveshja për njohjen e lejeve të drejtimit të shqiptarëve në Itali. Kryeministri Edi Rama, shkruan në “Facebook” se nesër ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka zyrtarizon në Romë marrëveshjen, duke mos i kursyer falënderimet ndaj ministrit Luigi di Maio. Kreu i qeverisë shtoi se tanimë në fokus të palëve është puna për arritjen e një marrëveshjeje për pensionet e shqiptarëve që jetojnë në Itali.
”Nesër ministrja Olta Xhaçka zyrtarizon në Romë marrëveshjen për lejet e drejtimit të shqiptarëve në Itali. Më në fund! Faleminderit Luigi di Maio dhe faleminderit të gjithëve që punuan me durim për të arritur këtë marrëveshje. Tani ecim para për marrëveshjen për pensionet e shqiptarëve në Itali, që qytetarët shembullorë të nderojnë miqësinë vëllazërore mes Italisë dhe Shqipërisë, duke punuar fort dhe kontribuar për ekonominë italiane për shumë vite”,-shkruan Rama.
Më 5 mars, kryeministri Edi Rama ishte në Itali, ku në konferencën e përbashkët për shtyp me ministrin e Jashtëm italian, Luigi Di Maio i kërkoi autoriteteve italiane zgjidhjen përfundimtare për njohjen e patentave shqiptare në Itali.