Italia parandaloi sulme kibernetike nga grupe pro-ruse gjatë Eurovisionit

15 maj 2022 | 11:26

Policia italiane ka bërë  me dije se ka penguar sulmet e hakerëve nga grupet pro-ruse gjatë gjysmëfinales së 10 majit dhe finales së 14 majit të Festivalit të Këngës Eurovision, që është mbajtur në Turin.

Policia ka thënë më 15 maj se gjatë operacioneve të votimit dhe performancave të garuesve, autoritetet kishin arritur të pengonin disa sulme kibernetike në infrastrukturën e rrjetit nga grupi i hakerëve Killnet dhe nga bashkëpunëtorët e këtij grupi, Legion.

Kalush Oechestra nga Ukraina e ka fituar Eurovisionin më 15 maj, shkruan “Rel”.

Qëkur Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt, shumë qeveri perëndimore kanë ngritur nivelin e gatishmërisë për shkak të sulmeve të mundshme kibernetike në sistemet e teknologjisë së informacionit dhe në infrastrukturë.

Javën e kaluar, hakerët pro-rusë sulmuan disa ueb-faqe të institucioneve italiane, përfshirë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Senatit.

Disa sulme të tjera të raportuara thuhet se kanë penguar punën e disa institucioneve, përfshirë edhe të ueb-faqes së Institutit Kombëtar të Shëndetësisë.

Mediat italiane kanë thënë se grupi pro-Kremlinit, Killnet, ka pranuar se qëndron prapa sulmeve kibernetike.

Në prill, Killnet ka shënjestruar ueb-faqet e Qeverisë së Rumanisë për shkak të mbështetjes që ky vend i jep Ukrainës në luftën kundër Rusisë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, e ka komentuar deklaratën e…