Italia përgatitet për rihapje, punëtorët e kinemave dhe teatrove luten për shpëtim
Nga skenaristët tek kamarierët, qindra punonjës të industrisë së argëtimit dhe mikpritjes në Itali u lutën për shpëtim, teksa vendi përgatitet për rihapje të ekonomisë.
Duke përplasur kapakët e bauleve, të përdorura në koncerte dhe teatro, punonjësit u mblodhën në Sheshin e Popullit në Romë, për të dramatizuar kërkesën e tyre përn jë fond qeveritar për t’i ndihmuar të mbijetojnë.
Kabineti i kryeministrit Mario Draghi njoftoi lehtësimin e masave në shumë zona të Italisë, duke nisur nga 26 prilli, por bëri thirrje për kujdes të shtuar për të shmangur shtimin e përhapjes së virusit, gjë e cila do të pengonte rihapjen ekonomike.
Kufizimet ndaj biznesit dhe lëvizjes së qytetarëve kanë qëndruar në fuqi në pjesën më të madhe të vitit në shtetin fqinj, i cili raporton një ndër bilancet më të larta të viktimave në botë nga pandemia e Covid-19.
Akoma po raporton qindra jetë të humbura çdo ditë. Italia përdor një sistem kufizimesh me 4 nivele për të vënë nën kontroll përhapjen e koronavirusit, i cili është i ndarë në ngjyra.