Italia premton 35 milionë euro ndihmë për palestinezët
Italia do të rinisë financimin e organizatës për ndihmë të palestinezëve, UNRWA, duke ofruar një pako të ndihmës humanitare në vlerë prej 35 milionë eurosh, tha ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani.
Tajani e bëri këtë premtim më 25 maj gjatë një takimi në Romë me kryeministrin palestinez, Mohammad Mustafa.
Kryediplomati italian tha se 5 milionë euro do të shkojë për projekte të UNRWA-s, ndërkaq pjesa tjetër e ndihmës është destinuar për nismën italiane “Ushqim për Gazën”.
Italia është një prej shumë shteteve që bllokuan ndihmën për UNRWA-në, pas akuzave të bëra nga Izraeli se disa pjesëtarë të stafit të kësaj agjencie ishin përfshirë në sulmin e 7 tetorit që Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – kreu ndaj Izraelit, sulm që nxiti luftën në Gazë.
UNRWA punëson 13.000 persona në Gazë dhe udhëheq shkollat e enklavës, klinikat e kujdesit primar shëndetësor dhe shërbime të tjera. Kjo organizatë po ashtu shpërndan ndihmë humanitare.
Në javët e fundit, disa shtete kanë rinisur financimin e kësaj organizate. Muajin e kaluar, Gjermania tha se do të rinisë bashkëpunimin e UNRWA-në pas një raporti, të udhëhequr nga ish-ministrja e Jashtme franceze, Catherine Colonna, lidhur me procedurat e UNRWA-s për të siguruar respektimin e parimeve të neutralitetit./REL/