Iu dha lamtumira e fundit dy vëllezërve nga Deçani që vdiqën në Gjermani
Të premten në Ratish të Epërm të Komunës së Deçanit iu dha lamtumira e fundit, Hasan e Blerian Arifaj, të cilët ndërruan jetë aksidentalisht në Gjermani.
Në varrim morën pjesë përfaqësues nga Qeveria dhe Komuna e Deçanit.
Zëvendëskryeministri Besnik Tahiri ka thënë se secili prej nesh është thellë i tronditur e me zemër të thyer, me rastin e humbjes së dy bijëve të familjes Arifaj, vëllezërve Hasanit e Blerianit.
“Sot në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, isha pranë familjes Arifaj. Dje dhe sot, secili shqiptar, kudo në botë, me mendje, me shpirt e me zemër, ka ndarë dhimbjen dhe pikëllimin me prindërit, vëllaun dhe me të gjithë familjarët e dy engjujve që na lanë. Kurrë nuk do ta harroj shtrëngimin e duarve me babain e engjujve, Arifin, forcën e tij të pashoq”, ka shkruar Tahiri në llogarinë e vet në “Facebook”.
“Kosova humbi dy djemë si drita, duke ndarë përgjithmonë dhimbjen me familjen Arifaj. I perjetshëm kujtimi për dy djemtë e familjes Arifaj, dy djemtè e Kosovës”, ka shkruar Tahiri.
Vëllezërit nga Deçani, Hasan dhe Berian Arifaj, humbën jetën tragjikisht në Gjermani pasi u goditën nga treni.
Ngjarja tragjike ndodhi ditën e martë derisa po shkonin në shkollë.
Në këtë fatkeqësi, vëllai tjetër i tyre fatmirësisht shpëtoi.