Iu dha lamtumira e fundit regjisores Arzana Kraja (Foto/Video)

14 nëntor 2019 | 14:31

Sot në varrezat e Arbërisë (ish-Dragodanit) në Prishtinë i është dhënë lamtumira e fundit regjisores Arzana Kraja, vajzës së kryetarit të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, Mehmet Kraja, e cila ndërroi jetë dje në banesën e saj.

Në varrimin e regjisores Kraja morën pjesë qindra qytetarë, përfaqësues të institucioneve të vendit, të shoqërisë civile, përfaqësues të komunitetit artistik, miq dhe familjarë, raporton “Epoka e re”.

Familjarët kanë njoftuar se dyert e familjes do të jenë të hapura për ngushëllime në lagjen ‘Ulpiana D9’, pranë klinikës ‘Fati im’.

Ngushëllime familjes Kraja i ka shprehur presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, kryeministri në largim Ramush Haradinaj, ministri në detyrë i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Kujtim Gashi, lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, lideri i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, deputeti LDK-së dhe ish-ministri i Financave, Avdullah Hoti, lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, ambasadori i ShBA-së në Kosovës, Philip Kosnett,  Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës (AShAK), Qendra Kinematografike e Kosovës, përfaqësues të komunitetit artistik dhe përfaqësues të shoqërisë civile, si dhe dhjetëra figura të tjera publike.

Teatri Kombëtar i Kosovës pas vdekjes së regjisores Arzana Kraja i ka shprehur ngushëllime familjes Kraja dhe ka anuluar shfaqjet e parapara në këtë teatër. Gjithashtu edhe Teatri i Gjilanit për shkak të vdekjes së regjisores Arzana Kraja, ka anuluar shfaqjen “Im atë donte Adolfin” të autorit Mehmet Kraja që ka qenë e paraparë të shfaqet të mërkurën.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Skuadra e Houstonit arriti fitore me rezultat 102-93 ndaj Clippersave,…