Iu gjet një granatë dore në shtëpi, dënohet me 800 euro gjobë një person në Gjilan
Gjykata Themelore në Gjilan ka shpall aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit, Millosh Arsiq, duke e dënuar me 800 euro gjobë pasi në vitin 2014 iu gjet një granatë dore në shtëpinë e tij.
Aktgjykimi ndaj tij u shpall të hënën nga gjyqtari Islam Thaçi, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Të pandehurit i është shqiptuar edhe dënimi plotësues, konfiskimi i mjetit eksplodues-një granate dore.
Ndryshe, gjatë shqyrtimit fillestar pas leximit të aktakuzës nga prokurori, Agron Uka, i akuzuari Millosh Arsiq është deklaruar fajtor për veprën penale për të cilën akuzohet.
Kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Islam Thaçi ka aprovuar pranimin e fajësisë nga ana e të pandehurit për veprën penale për të cilën akuzohet.
Seanca gjyqësore ka vazhduar me fjalën përfundimtare të prokurorit, i cili i ka propozuar gjykatës që sa i përket veprës penale për të cilën akuzohet i akuzuari të merren parasysh të gjitha rrethanat si lehtësuese edhe rënduese në mënyrë që dënimi të jetë i arsyeshëm.
I pandehurit Millosh Arsiq ka deklaruar që pendohem për veprën penale dhe se i ka premtuar gjykatës që në të ardhmen nuk do të përsëris vepra tjera penale, duke kërkuar shqiptimin e një dënimi sa më të butë.
Sipas aktakuzës, në kohë të pavërtetuar më parë, i pandehuri Millosh Arsiq pa autorizim ka poseduar dhe mbajt në pronësi mjet eksplodues – një granatë dore, ashtu që gjatë një kontrolli rutinor nga ana e njësitit të krim-teknikës rajonale si dhe njësiti i dominimit IEDD, më 21 mars 2014, në shtëpinë e tij në fshatin Livoç i Epërm, Komuna e Gjilanit, në një dhomë ku mbante ushqimin për kafshë, është gjetur dhe është asgjësuar një mjet shpërthyes – një granatë dore.
Me çka i pandehuri, ngarkohej se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374 paragrafi 1 të Kodit Penal, e dënueshme me gjobë deri në 7 mijë e 500 euro ose me burgim deri në pesë vjet.