“Iu thash ma bre se i ri mos e merrni”, rrëfimi i dhimbshëm i Maliq Kryeziut për djalin e tij 18 vjeçar të kidnapuar nga serbët në Kralan
Forcat ushtarake dhe policore serbe nga data dy deri më 4 prill të vitit 1999 torturuan qindra shqiptarë në një fushë në fshatin Kralan të Gjakovës.
86 prej tyre ata i rrëmbyen me forcë duke i ndarë nga grupi të mbledhur në këtë fshat, duke i vrarë mizorisht dhe duke i zhdukur pastaj.
Në mesin e tyre ishte edhe Mentor Kryeziu, i cili sapo kishte mbushur 18 vjet.
Babai i Mentorit, Maliq Kryeziu nga fshati Bubavec i Malishevës rrëfen për IndeksOnline momentin kritik, kur serbët ia morën nga duart djalin e tij.
“Kur e morën serbët mu doke që po kërkon ndihmë prej meje, por s’kisha çka me ba, kur ma morën nga dora, i thash ma bre se i ri s’kisha fuqi me i ndihmu. Ata rresht për një kanë hec në drejtim të Panorcit dhe tash e sa vite s’dimë sen për djalë. Janë momente rrëqethëse të vështira”, ka rrëfyer Kryeziu.
Ai thotë se ne Kralan është bërë masakër të cilën nuk do ta harroj asnjëherë.
“Zot mos na provo. Veç ai që e ka provu e din çka është. Këtë a janë të kidnapuar, dhe na nuk dimë sen”, ka thënë ndër të tjera ai.