Ivanka Trump përdori emailin privat për punë zyrtare
Ivanka Trump, vajza e presidentit amerikan, Donald Trump, ka përdorur emalin e saj privat për të dërguar qindra mesazhe për punë zyrtare të Shtëpisë së Bardhë, kanë konfirmuar zyrtarët.
Një rishikim i emaileve të saj ka zbuluar se ajo e ka përdorur adresën e saj private për të kontaktuar zyrtarët qeveritarë.
Avokati i zonjës Trump, e cila është edhe këshilltare e presidentit, tha se emailet janë dërguar vitin e kaluar, përpara se ajo të informohej për rregullat.
Në vitin 2016, Donald Trump, përpara se të zgjidhej president, ka akuzuar rivalen e tij, Hillary Clinton, për vënien e SHBA-së në rrezik, për shkak të përdorimit të emailt privat gjatë kohës sa ka qenë sekretare e shtetit.
Gazeta “Washington Post” ka raportuar se emailet e zonjës Trump përmbajnë kryesisht informacione logjistike dhe personale, porse disa mund të jenë edhe në kundërshtim me rregullat federale të të dhënave.
Një zyrtar i administratës Trump ka thënë për “CBS News” se emailet e zonjës Trump nuk përmbajnë informacione të klasifikuara.
Në Shtetet e Bashkuara, nuk është e paligjshme që zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë të përdorin llogaritë personale të postës elektronike për biznesin e qeverisë.
Sidoqoftë, sipas Aktit të Protokollit të Presidentit dhe Aktit Federal të të Dhënave, zyrtarët qeveritarë duhet të përcjellin çdo korrespondencë zyrtare në një llogari pune për ruajtje brenda 20 ditësh.