Ivanov: Populli e hodhi poshtë Marrëveshjen me Greqinë
Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov, marrëveshjen me Greqinë për emrin e vlerësoi si të dështuar, pas referendumit të së dielës, në të cilin nuk u arrit pragu i nevojshëm i pjesëmarrjes prej mbi 50%.
Në një paraqitje para opinionit, Ivanov kërkoi që të respektohet vendimi i popullit, i cili, sipas tij, “e hodhi poshtë marrëveshjen e dëmshme për emrin”.
“Në referendumin e së dielës, populli e hodhi poshtë marrëveshjen e Prespës. Me mosvotim, populli qartë u deklarua kundër zgjidhjeve të përshpejtuara, të imponuara dhe të dëmshme, pa arritur paraprakisht konsensus kombëtar”.
“Heshtja e shumicës të dielën ka vendosur, bojkoti është zë i atyre që janë nënvlerësuar dhe nuk janë dëgjuar”, tha Ivanov, duke kërkuar përgjegjësi, por edhe duke tërhequr vërejtjen për, siç tha, tentimet eventuale për të mos respektuar vullnetin e popullit.
“Mesazhi i popullit është dërguar deri tek ata që duhet ta dëgjojnë. Realiteti është se referendumi ka dështuar. Mos tentoni që ta ndryshoni këtë realitet. Mos e nënvlerësoni vullnetin sovran të popullit maqedonas. Nuk mund të diskutohet për vullnetin e shumicës në kushte kur nuk është plotësuar pragu ligjor për referendumin; 36.9% nuk paraqet vullnetin e popullit, por 63.1% e atyre që nuk votuan. Tani është koha për përgjegjësi para popullit maqedonas”, u shpreh Ivanov.
Ai u dërgoi ka dërguar porosi edhe atyre, që, sipas tij, përzihen në punët e brendshme të Maqedonisë, duke aluduar në komunitetin ndërkombëtar.
“I porosis ata që t’i respektojnë konventat për marrëdhënie diplomatike. Ata që kanë deficit demokratik, nuk mund të imponojnë zgjidhje në kundërshtim me vullnetin sovran të popullit”, tha Ivanov, duke rikujtuar fjalimin e presidentit amerikan në Kombet e Bashkuara se “liria, paqja dhe demokracia janë të mundshme vetëm në shtete sovrane dhe të pavarura”.
“Vetëm të bashkuar rreth interesave shtetërorë, duke respektuar rendin kushtetues dhe juridik mund të ecim rrugës drejt familjes euroatlantike. Nuk kemi dilema se vendi i Maqedonisë është në NATO dhe BE. Por, atje duhet të hymë me dinjitetin tonë njerëzor, pa kushtëzime, presione dhe standarde të dyfishta”.
“Vetëm kështu do të mund të përballemi me dy sfida të mëdha. Sfida e parë ka të bëjë me reformat serioze dhe të thella në të gjitha segmentet, pasi pa reforma të vërteta në gjyqësor, pa drejtësi dhe sundim të së drejtës, pa luftë kundër korrupsionit, pa luftë kundër klientalizimit elitar partiak, nuk do të arrijmë anëtarësimin në NATO dhe BE”, tha Ivanov, duke theksuar si sfidë të dytë nevojën për konsensus kombëtar për arritjen e qëllimeve strategjike, por edhe duke kërkuar nga shumica parlamentare që të pranojë, siç tha, disfatën në referendum. /REL/