Izet Haxhia dënohet me 21 vjet burgim për vrasjen e Azem Hajdarit

11 shkurt 2022 | 14:39

Gjykata e Tiranës ka shpallur fajtor Izet Haxhinë për vrasjen e Azem Hajdarit. Trupa gjykuese e ka dënuar atë me 21 vjet burgim duke e gjetur fajtor për veprën penale “Vrasje me paramendim”, e kryer në bashkëpunim.

Haxhia i është dorëzuar katër vjet më parë drejtësisë shqiptare duke qëndruar deri më tani në paraburgim deri në përfundimin e dënimit, periudhë e cila do të llogaritet në periudhën e vuajtjes së dënimit.

Izet Haxhia ka zbritur më datë 8 maj 2018 në aeroportin e Rinasit pasi ishte dorëzuar te autoritetet turke me qëllim ekstradimin në Shqipëri. Pasi kishte zbritur nga avioni, në aeroport atë e prisnin punonjës të Policisë së Tiranës, të Interpol, dhe një grup i gatshëm i burgjeve, i cili bëri edhe shoqërimin e tij në ambientet e burgut 302.

Ekstradimi

Haxhia është vetëdorëzuar tek autoritetet turke, ndërsa lajmin e njoftoi përmes faqes në Facebook. Pak ditë më pas ai zgjodhi në Shqipëri avokatin Fran Dashi.

Izet Haxhia u arrestua në vitin 2006 në Turqi, por drejtësia turke nuk ishte shprehur ende për ekstradimin e tij, ndonëse pala shqiptare kishte bërë kërkesa të vazhdueshme në kohën kur në pushtet ishte Sali Berisha.

Për 12 vjet me radhë gjykata turke kishte urdhëruar thjesht që ai të mos largohej jashtë vendit, ndërsa në shkurt të këtij viti befas u mor vendimi që ai të ekstradohet.

Izet Haxhia ishte dënuar nga gjykata shqiptare me 25 vjet burgim në mungesë për vrasjen e Azem Hajdarit, akuzë të cilën ai nuk e ka pranuar kurrë.

Pas ardhjes së tij në Shqipëri, ai kërkoi rigjykim dhe rihapjen e dosjes “Hajdari”, por edhe pas rishikimit të fakteve, gjykata e dënoi atë jo më me 25 vite, por me 21 vite burg.

Izet Haxhia ka qenë truproja i parë Sali Berishës kur ai ishte zgjedhur president në vitin 1992.

I ardhur nga Tropoja për të studiuar mjekësi në fillim të viteve ‘90, Haxhia, pjesëtar i një familje të madhe, simpatizoi bashkëpatriotin e tij pedagog dhe mjek i njohur, Sali Berisha duke pranuar ta mbronte 24 orë në ditë.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Me anë të letërurimit, komandanti i Komandës së Forcave Amerikane…