Izet Mexhiti: Artan Grubi ndodhet në Shqipëri, jo në Kosovë

21 dhjetor 2024 | 22:26

Zëvendëskryeministri shqiptar në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, ka thënë se Artan Grubi, ish-zëvendëskryeministër i RMV-së nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim, i shpallur së fundmi non-grata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndodhet në arrati në Shqipëri dhe jo në Kosovë, siç u aludua ditë më parë.

“Mendoj se është detyrë e organeve të rendit, ata do të bëjnë dhe padi ndërkombëtare përmes Interpolit. Sipas informatave, nuk është në Kosovë, por është tek ju në Shqipëri. Por s’është kjo e rëndësishme, por me arratisjen e tij ka dëshmuar fajësinë e tij dhe ndaj ai ka ikur nga vendi. Mendoj se sot, nesër, apo pasnesër ai një ditë do të ballafaqohet me drejtësinë”, tha Mexhiti në Ora News.

Grubi, i cili u fut në listën e zezë të SHBA-së për korrupsion, e ka mohuar se ka ikur nga vendi, duke thënë se ndodhet jashtë vendit “për një vizitë private”. Ai ka shtuar se për këtë vizitë e ka informuar edhe sigurimin e tij personal policor.

Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut publikoi më 18 dhjetor fletarrestimet ndërkombëtare të lëshuara për Grubin dhe ish-drejtorin e Lotarisë Shtetërore, Përparim Bajramin. Këto fletarrestime u lëshuan me kërkesë të Prokurorisë Publike dhe bazohen në vendimin e Gjykatës Themelore, e cila më 17 dhjetor vendosi masën e paraburgimit prej 30 ditësh për të dyshuarit.

Grubi dhe Bajrami akuzohen “për përvetësim të pasurisë së paligjshme”, nga Lotaria Shtetërore, ndërsa dëmi i shkaktuar vlerësohet të jetë rreth 8.2 milionë euro.

Grubi, ish-deputet, tanimë edhe ish-anëtar i BDI-së, në opozitë, rrezikon të dënohet me burgim deri në pesë vjet, nëse shpallet fajtor.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Partitë opozitare në Mal të Zi nuk lejuan mbajtjen e…