Izet Mexhiti merr pjesë me liderë botërorë në “Lutjet e Mëngjesit”

07 shkurt 2025 | 09:49

Në një atmosferë reflektimi dhe dialogu, liderë politikë dhe personalitete me ndikim nga e gjithë bota u mblodhën sot në “Lutjet e Mëngjesit”, një ngjarje tradicionale që promovon vlerat e besimit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.

Pjesëmarrës i këtij eventi ishte edhe zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, i cili e cilësoi këtë moment si një mundësi të veçantë për të thelluar partneritetin me Shtetet e Bashkuara, një aleat strategjik i rëndësishëm për Maqedoninë e Veriut.

“Besimi, vlerat dhe miqësia mes kombeve janë ura që na bashkojnë dhe mbi të cilat duhet ta ndërtojmë një të ardhme gjithëpërfshirëse,” u shpreh ai, duke theksuar rëndësinë e forcimit të lidhjeve të Maqedonisë së Veriut me botën demokratike.

Gjatë qëndrimit në Uashington, zëvendëskryeministri Izet Mexhiti zhvilloi takime të rëndësishme me kongresmenë dhe përfaqësues ndërkombëtarë, duke vijuar përpjekjet për bashkëpunim më të ngushtë me aleatët strategjikë. Takimi më përmbajtësor ishte me kongresmenin amerikan Pete Sessions, anëtar i Partisë Republikane. Diskutimet u fokusuan në marrëdhëniet mes Maqedonisë së Veriut dhe ShBA-së, me theks në mundësitë për thellimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.

“Nga takimet dhe vizitat zyrtare, kam kuptuar se jemi të bekuar me miqësinë dhe përkrahjen e ShBA-së. Marrëdhëniet mes Maqedonisë së Veriut dhe ShBA-së do të intensifikohen në interes të qytetarëve dhe shoqërive respektive,” theksoi Izet Mexhiti.

Ai shprehu gjithashtu mirënjohjen dhe falënderimin në emër të popullit dhe vendit të tij për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara, duke nënvizuar rëndësinë e këtij partneriteti strategjik për të ardhmen e Maqedonisë së Veriut.

Në kuadër të kësaj vizite zyrtare në Uashington, ishin së bashku edhe Ministri i Shëndetësisë Arben Taravari, nënkryetari i Kuvendit Antonio Milloshoski, kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami dhe shumë të tjerë në kuadër të Forumit të Sigurisë Ndërparlamentare Interparliamentary Security Forum që u organizua nga kongresmenët Pete Sessions dhe Robert Aderholt.

Në këtë forum, pjesëmarrës ishin edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, të cilët ndanë përvojat e tyre mbi sfidat e sigurisë.

Kjo ishte vizita e dytë mjaft e suksesshme e Izet Mexhitit, zëvendëskryeministrit të Maqedonisë së Veriut, brenda pak javësh në Uashington, ku gjatë inaugurimit të presidentit Donald Trump ishte i vetmi lider i rajonit që arriti të përshëndetet me presidentin amerikan.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sot (e premte) do të fillojë edicioni pranveror në Albi…