
Izet Mexhiti: Një hap më afër Kosovës
Sot në Bllacë, në praninë e zëvendëskryeministrit të parë të Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, u zhvillua një takim mes ministrave të Punëve të Brendshme të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Pançe Toshkovski, dhe të Kosovës, Xhelal Sveçla.
Gjatë këtij takimi, ishte i pranishëm gjithashtu edhe ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Florian Qehaja.
“Në këtë takim, shqyrtuam përparimin e përgatitjeve për implementimin e sistemit One Stop Shop në pikën kufitare Bllacë. Takimi ynë synonte mbikëqyrjen e detajeve teknike dhe organizative, pasi se së shpejti ky sistem do të lëshohet në përdorim. Sistemi One Stop Shop do të ofrojë një procedurë më të thjeshtë dhe efikase për kalimin e kufirit dhe shërbimet ndërkufitare, duke përmirësuar përvojën e qytetarëve dhe rritur bashkëpunimin rajonal. Ky hap është një kontribut i jashtëzakonshëm në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, si dhe një hap përpara drejt një integrimi më të madh rajonal. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për shqiptarët e Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, të cilët janë të lidhur ngushtësisht në nivel kulturor, gjuhësor dhe vëllazëror, dhe për të cilët ky sistem do të sjellë lehtësira të mëdha në lëvizjen dhe komunikimin ndërkufitar”, ka njoftuar Mexhiti.
Ai ka thënë se ky bashkëpunim thekson fuqishëm solidaritetin dhe forcimin e lidhjeve mes dy shteteve, duke bërë që ky hap të jetë një ndihmesë të drejtpërdrejtë në përmirësimin e jetës së qytetarëve shqiptarë në të dyja vendet. “Ky është një moment historik që na afron më shumë dhe na e bën rrugën të përbashkët më të fortë!”, ka thënë Mexhiti.