
Izet Mexhiti takon këshilltarin e presidentit Erdogan, Sabri Demirin
Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, gjatë vizitës së tij në Stamboll, zhvilloi një sërë takimesh me personalitete të rëndësishme shtetërore dhe diplomatike.
Ndër të tjera, ai pati kënaqësinë të takojë edhe bashkëvendasin e tij, Sabri Demirin, një shqiptar nga Çairi i Shkupit, i cili është një nga këshilltarët më të besuar të presidentit të Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan.
Ky takim ishte një moment i veçantë, duke reflektuar suksesin e shqiptarëve në arenën ndërkombëtare.
Çairi, bastioni i Lëvizjes Demokratike partisë më të madhe shqiptare në koalicionin qeverisës në Maqedoninë e Veriut vazhdon të nxjerrë figura të shquara, dhe historia e Sabri Demirit është një tjetër dëshmi e shpirtit të palëkundur shqiptar përballë sfidave.
Në një postim në rrjetet sociale, Mexhiti e cilësoi këtë takim si një moment krenarie kombëtare: “Në qytetin e Stambollit, aty ku takohen dy kontinente dhe historia flet me madhështi, pata kënaqësinë të takoja mikun tim, Sabri Demirin. Një shqiptar nga Çairi i Shkupit, një djalë i dheut tonë, i cili, me vizion, punë dhe përkushtim, ka arritur të bëhet një nga këshilltarët më të besuar të Presidentit të Turqisë. Një histori suksesi që nuk vjen rastësisht, por si rezultat i shpirtit shqiptar që nuk ndalet para asnjë sfide. Ky takim nuk ishte vetëm një bisedë miqësore, por një moment krenarie kombëtare. Ishim dy djem të Shkupit, në një nga metropolet më të mëdha të botës, duke dëshmuar edhe një herë se shqiptarët nuk njohin kufij kur bëhet fjalë për suksesin. Është gjithmonë kënaqësi dhe krenari të shohësh bashkëvendas që arrijnë suksese të mëdha!”, ka shkruar Mexhiti në Facebook.