Izmi Zeka: Afrim Zhitia, simbol i rezistencës së armatosur
“E kam njohur dhe tani më duket sikur po flet tingëllueshëm për lirinë e Kosovës, për bashkimin kombëtar. Ishin vitet e rënda të luftës për jetë a vdekje kur Afrim Zhitia nuk njihte për vdekjen kur ishte çështja e atdheut. Sot është ditëlindja e tij e 54 dhe në memorien time tani portretizohet figura e heroit të pathyeshëm e idealistit të përmasave kombëtare, të riut të pathyeshëm deri në flijim”, kështu ka shkruar në llogarinë e vet në “Facebook”, zëvendësministri i Punëve të Brendshme Izmi Zeka.
Ai ka thënë se Afrim Zhitia ishte gjenerata e të rinjve që vazhdonin rrugën e atyre që kishin rënë më herët për atdhe.
“Ditëlindjet e heronjve janë vetë jeta e shtetit të ri të Kosovës. Ishte ideator, politikan modern, intelektual i kohës dhe programues i lëvizjes kombëtare në trojet shqiptare. Sot prehet i qetë i skalitur herë në bronz e herë në shtatore kudo”, ka shkruar Izmi Zeka.
/Epoka e re/