Izmi Zeka i jep mbështetje të plotë Thaçit për bashkimin e Luginës me Kosovën
Zëvendësministri i Punëve të Brendshme (MPB) nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Izmi Zeka, i ka dhënë mbështetje idesë së presidentit Hashim Thaçi për bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën.
Ai ka thënë se Thaçi ka qenë shumë i qatë sa i përket territorit të Kosovës. “Presidenti është shumë i qartë. Ai po thotë se kufijtë nuk preken”, ka deklaruar Zeka për “RTK”-në.
Në këtë kontekst, Zeka ka thënë se është i habitur me sulmet që janë duke iu bërë kësaj ideje.
Ai ka thënë së është moment historik që në dialogun e Brukselit të diskutohet për Luginën e Preshevës.
“Unë jam duke u habitur se pse gjithë ky sulm ndaj ideve të tilla. Për çfarë? Cila është arsyeja? Thjesht nuk jam duke i kuptojë, as si politikan, as si intelektual dhe si as si njeri i thjesht. Është moment historik që në tavolinën e bisedimeve në Bruksel të shtrohet Presheva, Medvegja dhe Bujanoci”, ka thënë Zeka, transmeton “Epoka e re”.
Ndërsa sa i përket veriut të Kosovës, Zeka ka thënë se Serbia duhet ta harrojë këtë pjesë të territorit të vendit tonë. “Le ta harrojë Serbia pjesën veriore. Nuk do të ketë kompromis në këtë drejtim”, është shprehur Zeka.