Izolimi në Britani mund të zgjasë më shumë se një muaj
Një pjesëtar i kabinetit qeverisës në Britani, ka paralajmëruar se masat e mbylljes, që janë paralajmëruar se do të jenë në fuqi për katër javë, mund të zgjasin më gjatë, teksa edhe shtetet e tjera evropiane po aplikojnë masa të reja për të frenuar përhapjen e koronavirusit.
Kryeministri britanik, Boris Johnson, ka thënë se shteti i tij do të hyjë në izolim nga 5 nëntorit dhe kjo masë do të zgjasë për një muaj. Qytetarët britanikë do të mund të dalin nga shtëpia vetëm për të blerë gjëra të nevojshme dhe nëse iu duhet trajtimi mjekësor.
Ai ka thënë se këto masa duhej të vendoseshin, pasi Britania kaloi shifrën prej 1 milion të infektuarish me koronavirus.
Britania ka shifrën më të lartë të viktimave nga sëmundja Covid-19 në Evropë, përkatësisht mbi 46 000 viktima dhe së fundmi, çdo ditë ka regjistruar mbi 20 000 raste të reja në ditë.
Por, anëtari i qeverisë, Michael Gove, ka thënë se është e mundur që masat e reja të zgjasin më shumë se një muaj.
“Ne nuk mund ta dimë saktë këtë, por nëse nuk marrim veprime tani, spitalet do të mbingarkohen”, ka thënë Gove për “Sky News”.
Edhe shtete të tjera evropiane tashmë kanë vendosur masa të reja kundër koronavirusit, si Gjermania, Franca dhe vende të tjera, për shkak të rritjes së rasteve të reja. Po ashtu, Portugalia, Greqia dhe Austria kanë njoftuar se që nga java e ardhshme do të hyjnë në mbyllje të pjesshme.
Në mbarë botën janë regjistruar mbi 46 milionë raste me koronavirus dhe rreth 1. 2 milion viktima, që prej se për herë të parë u raportuan rastet e para me këtë virus në fund të vitit të kaluar në Kinë.