Izolimi po funksionon në Itali, por epidemia mund të përcaktohet nga demografia e popullsisë 

19 mars 2020 | 09:21

Mbajtja e distancës nga njëri-tjetri duket se po shfaq  rezultatet e para në Itali, por kuptimi i demografisë së popullsisë mund të ndihmojë që të kuptojmë më mirë se si do të shpërndahet epidemia në vende të ndryshme, thonë sociologët.

Pas karantinës në Lodi, një qytet pranë Milanos në veriun e Italisë, duket se ka një rrafshim të kurbës së epidemisë, thonë shkencëtarët e Universitetit të Oksfordit.

Rrafshimi i kurbës është një term që po përdoret për të shfaqur se si masat, si izolimi dhe distanca sociale, mund të vonojnë dhe reduktojnë kulmin e një epidemie.

Kjo përkthehet në më pak pacientë në pavijonin e terapisë intensive, çka do të ndihmonte në uljen e barrës së rënë mbi sistemet e shëndetësisë.

“Ndërkohë që rastet në provincën e Bergamos filluan të rriteshin nga 24 shkurti, nga ana tjetër në Lodi nuk ishte vendosur asnjë lloj kufizimi apo izolimi” theksojnë sociologët e Oksfordit në një studim ku tregohet se çfarë ndikimi ka demografia mbi epideminë.

E gjithë provinca e Lombardisë, ku hyn Lodi dhe Bergamo, u mbyll rreth dy javë më vonë, më 8 mars.

Sot, rastet në Bergamo i kanë tejkaluar ato në Lodi.

View image on Twitter

Sociologët kanë ekzaminuar gjithashtu shkallën e vdekshmërisë dhe demografinë në Itali dhe në Korenë e Jugut për parë sesi kjo mund të ndihmojë në përllogaritjen e trajektores së epidemisë në vendet e tjera.

Rastet fatale ishin krejt të paparashikuara në Itali, për shkak edhe të “shëndetit dhe mirëqenies” për të cilën njihet Italia e veriut, por Italia ka një prej popullsive më të vjetra në botë, me 23.3 për qind të popullsisë mbi moshën 65 vjeç, në krahasim me Kinën e cila ka 12 për qind” shpjegojnë sociologët.

Italia ka numrin më të lartë të vdekjeve pas Kinës.

“Ka një ngarkesë jashtëzakonisht më të lartë të vdekjeve në vende me popullsi më të moshuara kundrejt atyre me popullsi më të re,” thonë shkencëtarët, duke shtuar se traditat kulturore si “marrëdhënia e afërt e brezit të moshuar me më të vegjlit” duhet marrë parasysh nga qeveritë kur ato përpilojnë rregullat e izolimit.

Shkencëtarët krahasojnë përhapjen e virusit në Itali me atë në Korenë e Jugut, e cila ishte më e theksuar tek brezi i ri, rekrutë të sektit fetar Schincheonji.

Shumica e rasteve në Kore janë të moshës 20-29, një grupmoshë që është më pak e prekur sipas të dhënave që vijnë nga Italia.

Sipas këtij studimi, në vendet që popullsia është më e re, përhapja e virusit mund të shkaktojë më pak viktima.

Ata shtojnë se në mënyrë që të kuptohet sesi mund të zhvillohet pandemia është e rëndësishme që të kuptojmë sesi virusi ndikon mbi popullsinë.

Një ndryshim që ata vunë re ishte shkalla e vdekshmërisë midis burrave dhe grave, çka sipas tyre mund të shpjegohet pasi ka më shumë duhanpirës burra sesa gra në vendet aziatike.

Por një arsye tjetër është testimi, pretendojnë ata.

“Nëse testohen vetëm rastet më të rënda, kjo ka të ngjarë të mbivlerësojë shkallën e vdekshmërisë. Kështu që sa më shumë testime të kryhen, aq më të sakta do të jenë përllogaritjet e vdekshmërisë” thotë Dr Jennifer Dowd, një prej autoreve të këtij studimi.

Ata gjithashtu i kanë bërë thirrje qeverisë që të lëshojë më shumë të dhëna të popullatës që të kuptojnë më mirë sesi po ndikon coronavirus në shtete të ndryshme./euronews

Vdekjet nga COVID-19 në Itali dhe Korenë e Jugut sipas grupmoshave

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një person që ishte infektuar me koronavirus është shëruar në…