Izraeli bombardon një shkollë në Gaza, humbin jetën 8 persona, plagosen 30
Shërbimi i mbrojtjes civile të Rripit të Gazës raportoi dje, të shtunën për tetë të vdekur nga një bombardim ajror izraelit në një shkollë në pjesën veriore të enklavës palestineze. Shkolla mësohet ishte kthyer në një qendër për pritjen e personave të zhvendosur nga vendbanimet e tyre.
“Tetë persona, duke përfshirë dy fëmijë dhe dy gra, u vranë në bombardimet izraelite të shkollës Halwa, e cila pret mijëra njerëz të zhvendosur në qytetin e Jabalia”, tha zëdhënësi i mbrojtjes civile të Rripit të Gazës, Mahmoud Basal.
Ai shtoi se tridhjetë persona u plagosën, mes tyre 19 fëmijë. Ushtria izraelite njoftoi se kishte shënjestruar terroristët në një qendër komandimi që dikur përdorej si shkollë, duke siguruar se kishte marrë të gjitha masat e nevojshme për të kufizuar rrezikun e goditjes së civilëve.
Që nga 6 tetori, Izraeli ka kryer operacione intensive tokësore dhe ajrore në pjesën veriore të Rripit të Gazës për të parandaluar rigrupimin e njësive të Hamasit. Lufta në Rripin e Gazës u shkaktua nga sulmi i paprecedentë i Hamasit në Izrael më 7 tetor 2023, i cili vrau 1,208 njerëz në anën izraelite, shumica prej tyre civilë, sipas një raporti të AFP-së bazuar në të dhënat zyrtare izraelite.
46,537 njerëz, shumica e të cilëve civilë, janë vrarë që atëherë në operacionet hakmarrëse shkatërruese të Izraelit në Rripin e Gazës, sipas shifrave nga ministria e shëndetësisë e qeverisë së Hamasit të enklavës, të cilat konsiderohen të besueshme nga OKB. Zyra e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA) vlerëson se rreth 10,000 banorë të Rripit të Gazës të cilët janë klasifikuar si të zhdukur janë varrosur në rrënojat e ndërtesave të rrafshuara.