Izraeli dëbon banorët e tre kampeve në Bregun Perëndimor

23 shkurt 2025 | 17:20

Izraeli ka dëbuar banorët e tre kampeve të refugjatëve në Bregun Perëndimor të okupuar, teksa përshpejton një operacion të madh njëmujor në territorin palestinez.

Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz tha se kampet në Jenin, Tulkarm dhe Nur Shams tani janë bosh dhe do të pushtohen nga ushtria izraelite për vitin e ardhshëm.

Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) thanë se kanë dislokuar një divizion tankesh rreth qytetit të Jeninit – hera e parë që e bën këtë që nga viti 2002. Autoriteti Palestinez e dënoi masën.

OKB-ja tha në fillim të këtij muaji se operacioni i Izraelit, i cili filloi më 21 janar dhe u intensifikua ditët e fundit, kishte çuar në “zhvendosjen e detyruar” të 40,000 njerëzve.
“Deri më tani, 40,000 palestinezë janë evakuuar nga kampet e refugjatëve në Jenin, Tulkarem dhe Nur Shams, të cilat tani janë bosh nga banorët”, tha Israel Katz në një deklaratë.

“Kam udhëzuar [trupat] të përgatiten për një prani të zgjatur në kampet e pastruara për vitin e ardhshëm dhe të parandalojnë kthimin e banorëve dhe ringjalljen e terrorizmit.”

Ai tha gjithashtu se Izraeli kishte udhëzuar agjencinë e refugjatëve palestinezë të OKB-së (Unrwa) që të ndalonte operacionin në zonë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Është mbyllur java e 20-të e Ligës së Parë të…