IZRAELI DHE KOSOVA, NGA MIQËSIA TRADICIONALE, NË ZGJERIMIN E MARRËDHËNIEVE DYPALËSHE
Marrëdhëniet diplomatike në mes të shteteve, përpos karakterit politik e protokollar, kanë në vetvete edhe segmentit të besimit të ndërsjellë. Izraeli duke e njohur pavarësinë e shtetit të Kosovës, beson në miqësinë tradicionale dhe në këmbim të kësaj investon ide e projekte që do ta bënin këtë miqësi, jo vetëm pjesë e rrëfimeve e kujtimeve të të mbijetuarve të Holokaustit, ku shqiptarët luajtën një rol vendimtar në shpëtimin e qindra hebrenjve gjatë LDB, por edhe preokupim i pashmangshëm në ngritjen e kapaciteteve shtetndërtuese e zhvillimore të Kosovës, tash e në të ardhmen
Nga Mehmet PRISHTINA
Vendosja e marrëdhënieve diplomatike në mes të Izraelit dhe Kosovës, gjithsesi është lajmi më i mirë i këtij fillimviti. Ky akt shënon një epokë të re në politikën e jashtme të Kosovës, jo vetëm për faktin se edhe kësaj radhe ishin SHBA-të sponsori kryesor i kësaj ngjarjeje me karakter ndërkombëtar, por edhe për arsyet që lidhen me prishjen e mitit se gjoja Izraeli asnjëherë nuk do ta njeh pavarësinë e Kosovës, ashtu siç kishin trumbetuar disa megafonë të ndryshkur në Beograd.
Ndonëse Bashkimit Evropian s’i ka pëlqyer zyrtarizimi i vendimit të Kosovës për ta hapur ambasadën e saj në Jerusalem, kjo megjithatë nuk e zbeh rëndësinë që ka për Kosovën bashkëpunimi i gjithanshëm me Izraelin.
Në anën tjetër hapi i guximshëm që ka hedhur Izraeli në njohjen e Republikës së Kosovës, në të ardhmen mbase mund të ndikojë pozitivisht në nxitjen e veprimeve të ngjashme nga ana e disa shteteve-anëtare të BE-së që deri më tani nuk e kanë njohur Kosovën si shtet. Brukseli zyrtar nuk ka qenë gjithaq i angazhuar në këtë drejtim dhe politika e jashtme e BE-së Kosovën e ka trajtuar më tepër si një hapësirë gjeopolitike, se sa një entitet i pavarur shtetëror. Kjo politikë ka prodhuar standarde të dyfishta në raport me Kosovën dhe Serbinë, ku kjo e fundit gjithmonë është trajtuar si një fëmijë i lazdruar të cilit duhet t’i jepen të gjitha lodrat që i kërkon.
Prandaj na duket e dorës së dytë çështja së në cilin qytet të Izraelit do të jetë në të ardhmen ambasada e Kosovës, më krahasim me rëndësinë që ka për Kosovën njohja si shtet i pavarur nga një vend i rëndësishëm siç është Izraeli. Fundja edhe shqetësimi që vjen nga Beogradi nuk lidhet gjithaq me atë se ku do të jetë në të ardhmen ambasada e Kosovës – në Jerusalem apo në Tel Aviv. Ky shqetësim ka të bëjë më tepër me faktin se subjektiviteti ndërkombëtar i Kosovës po fuqizohet gjithnjë e më tepër dhe kjo po ndodhë me mbështetje të drejtpërdrejt amerikane.
Mbi rëndësinë e këtij akti, flet edhe deklarata e zëdhënësit të Departamentit të Shtetit Amerikan, Ned Price, i cili përshëndeti marrëdhëniet e reja të ndërmjet Kosovës dhe Izrealit, duke shkruar se: “Lidhjet më të thella ndërkombëtare ndihmojnë më tej paqen dhe stabilitetin në Ballkan dhe Lindjen e Mesme”.
Edhe ish-kongresisti amerikan dhe miku i madh i shqiptarëve, Eliot Engel, ka thënë se dita e vendosjes së raporteve diplomatike mes shtetit të Izraelit dhe Republikës së Kosovës është një ditë e madhe për të dy shtetet.
“Urimet e mia më të përzemërta për shtetin e Izraelit dhe Republikën e Kosovës për vendosjen e raporteve diplomatike. Kjo është një ditë e madhe për të dy vendet”, ka shkruar Engel.
Tash më është e ditur se statusi i Jerusalemit është një nga pengesat më të mëdha për arritjen e një marrëveshjeje paqësore midis Izraelit dhe Palestinës. Bashkimi Evropian, Kombet e Bashkuara dhe vendet arabe ishin alarmuar nga vendimi i ish-presidentit të SHBA-së, Donald Trump për ta zhvendosur Ambasadën amerikane në Jerusalem.
Republika e Kosovës nuk mundet as ta përshpejtojë as ta ngadalësojë zgjidhjen e statusit të Jerusalemit, i cili historikisht është konsideruar si shtëpia e përbashkët e besimit mysliman, hebraik dhe të krishterë, ndërkohë që palestinezët pretendojnë Jerusalemin Lindor për kryeqytet, ndërsa Izraeli qysh nga antikiteti e konsideron Jerusalemin kryeqytetin e tij të përjetshëm dhe të pandashëm.
Në anën tjetër mbi shtatëdhjetë vjet, bashkësia ndërkombëtare ka qëndruar e bashkuar pas Rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së (Nëntor 1947) e cila bëri thirrje që Jerusalemi ‘të vendoset si një korpus separatum nën një regjim të veçantë ndërkombëtar… të administruar nga Kombet e Bashkuara’.
Propaganda e ditëve të fundit që po orkestrohet nga qarqet serbe e ruse, ka për qëllim të relativizojë peshën dhe rëndësinë e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike në mes të Izraelit dhe Kosovës, duke nxitur me këtë rast disa shtete arabe dhe disa të tjerë që të kundërshtojnë këtë akt.
Ministri i Jashtëm serb, Nikola Sellakoviq tha më 2 shkurt se ky hap do të “ndikojë në marrëdhëniet Serbi-Izrael”.
“Izraeli vetë zgjodhi se interesin më të rëndësishëm e ka lidhjen me Amerikën dhe ajo që është e rëndësishme për Amerikën sesa Serbia. Është e drejta e tyre legjitime. Ajo që është e rëndësishme është që ne nuk morëm pjesë në atë proces sepse presidenti i (Serbisë, Aleksandar) Vuçiq nuk pranoi (në Uashington) të nënshkruajë ftesën për Izraelin për të njohur të ashtuquajturën Kosovë dhe anasjelltas”, i tha Selakoviq Radio Televizionit të Serbisë (RTS), duke theksuar se nuk ishte as i lumtur e as i kënaqur me marrëdhëniet e sapokrijuara midis dy vendet.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, reagoi në mënyrë të ngjashme më 1 shkurt, duke thënë se ky vendim nuk do të ketë efekt pozitiv në marrëdhëniet mes shtetit të tij dhe Izraelit.
Prandaj është me shumë rëndësi që opinioni publik të mos ndikohet nga kjo propagandë dhe më së paku të bëhet temë debati se ku do të ndodhet përfaqësia diplomatike e Kosovës në Izrael. Madje, ka plot shtete në botë që nuk kanë gjithkund ambasada, mirëpo kjo nuk i pengon ato që të zhvillojnë marrëdhënie solide diplomatike e bilaterale në të gjitha fushat.
Vendosja e marrëdhënieve diplomatike në mes të Kosovës dhe Izraelit, nuk shënon vetëm një akt protokollar ceremonial, por më tepër se kaq. Për Kosovën, Izraeli paraqet një prej partnerëve më të rëndësishëm në fuqizimin dhe thellimin e lidhjeve miqësore tradicionale në mes të popullit hebre dhe atij shqiptar. Mbi këtë parim duhet parë edhe të ardhmen e marrëdhënieve në mes të këtyre dy shteteve, duke listuar një varg prioritetesh që ndërlidhen me zhvillimin dhe progresin, sidomos të Kosovës, e cila ka nevojë shumë për përvojat e shtetit të Izraelit në disa fusha, siç janë agrobiznesi, shëndetësia, teknologjia informative etj.
Marrëdhëniet diplomatike në mes të shteteve, përpos karakterit politik e protokollar, kanë në vetvete edhe segmentit të besimit të ndërsjellë. Izraeli duke e njohur pavarësinë e shtetit të Kosovës, beson në miqësinë tradicionale dhe në këmbim të kësaj investon ide e projekte që do ta bënin këtë miqësi, jo vetëm pjesë e rrëfimeve e kujtimeve të të mbijetuarve të Holokaustit, ku shqiptarët luajtën një rol vendimtar në shpëtimin e qindra hebrenjve gjatë LDB, por edhe preokupim i pashmangshëm në ngritjen e kapaciteteve shtetndërtuese e zhvillimore të Kosovës, tash e në të ardhmen.
Prishtinë, 4 shkurt, 2021