Izraeli dhuron 70 karroca për personat me aftësi të kufizuara
Izraeli për herë të dytë ka shpërndarë 70 karroca për personat me aftësi të kufizuara. Këto karroca do t’ju shpërndahen fëmijëve në Prishtinë, por edhe qendrat tjera të Kosovës.
Ceremonia e shpërndarjes është mbajtur në shoqatën “Hendikos”, ku drejtori i kësaj shoqate, Afrim Maliqi, ka thënë se personat me aftësi të kufizuara nuk marrin asnjë shërbim institucional, përpos atyre social nga OJQ të ndryshme.
Maliqi ka thënë se presin përkrahje në përmirësim të kuadrit ligjor për personat me aftësi të kufizuara.
“Këto karroca do t’ju shërbejnë fëmijëve me aftësi të kufizuara, si në Prishtinë, por edhe gjithandej Kosovës. Sot personat me aftësi të kufizuara, si fëmijët dhe të rriturit nuk marrin as pajisje ndihmëse as shërbime të tjera institucionale, përpos shërbimeve sociale nga organizatat e ndryshme joqeveritare edhe ndonjë mbështetje financiare që e marrin si kompensim mujor për mbulimin e shërbimeve të tyre ditore. Personat me aftësi të kufizuara dhe familjarët e tyre janë grupi më optimistë, përkundër asaj që janë grupi më i varfër dhe rrezikuar në vendin tonë”, ka thënë ai.
Sipas tij, personat me aftësi të kufizuara ballafaqohen me mungesë të infrastrukturës së përshtatshme për të lëvizur lirshëm.
“Gjithsesi do të mundohemi të bashkëpunojmë edhe me klinikat e pediatrisë në spitalet regjionale sepse sigurisht edhe aty do të kenë nevoja që fëmijët sa të jenë të shtrirë aty, me qëllim të lehtësimit të lëvizjes më të lirë dhe më të lehtë, por gjithsesi kur flasim për lëvizjen e lirë, vendi ynë ende ballafaqohet me mungesën e infrastrukturës apo qasjen e duhur dhe të përshtatshme që personat me aftësi të kufizuara apo përdoruesit e karrocave të jenë të barabartë me lëvizjen e lirë edhe pse këtu ka një lëvizje, por ende po shpresojmë që duhet të rregullohet më tutje”, ka thënë Maliqi.
Ndërsa ambasadorja e Izraelit në Kosovë, Tammy Ziv, ka thënë se këto karroca që shteti i saj i ka dhuruar për qytetarët e Kosovës me aftësi të kufizuara, janë simbol i miqësisë në mes të dy vendeve.
Ajo ka thënë se shpreson se me përdorimin e këtyre 70 karrocave do të lehtësohet jeta e këtyre personave.
“Këto karroca janë simbol i miqësisë në mes të vendeve tona dhe simbol i rëndësisë që ne në Izrael u japim marrëdhënieve me Kosovën. Është gatishmëria jonë për t’i forcuar këto lidhje, jo vetëm me qeverinë, por me popullin dhe fëmijët e këtij vendi. Ministri izraelit i Bashkëpunimit Rajonal, Esawi Frej, i cili vizitoi Kosovën në muajin prill, dhe besoi se investimet më të rëndësishme janë ato tek fëmijët, te të rinjtë dhe në edukimin e tyre, sepse këto investime sigurisht që do t’i kthejnë të arriturat. Besojmë se me këto karroca, jeta e tyre do të bëhet pak më e lehtë dhe ata do të mund të integrohen më mirë në jetën e përditshme. Ne do të punojmë së bashku me ju për të zhvilluar projekte të tjera bashkëpunimi në dobi të fëmijëve dhe familjeve të tyre”, ka thënë ajo.
Në ceremoninë e dhurimit të karrocave nga shteti izraelit ka marrë pjesë edhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, i cili ka thënë se si qeveri po punojnë që të gjitha politikat e tyre të lehtësojnë jetën e qytetarëve pa dallim.
“Jemi shumë të lumtur që 70 fëmijë të Kosovës në regjione të ndryshme të Kosovës do të kenë mundësi të përfitojnë nga këto. Në takimin e parë këtu në prill patëm edhe kompaninë e cila e ka bërë donacionin e cila shpjegoi për specifikat e karrocave. Shumë i lumtur për këtë bashkëpunim me juve, shumë i lumtur për bashkëpunimin me Izraelin dhe vizita e parë e ministrit izraelit në Kosovë ishte këtu dhe filluam bashkëpunimin me një kujdes të veçantë të personave me nevoja speciale të veçanta dhe si shtet këtë vit e kemi shpallur vitin e personave me nevoja të veçanta dhe do të angazhohemi edhe si qeveri që të gjitha politikat tona të shkojnë në drejtim të lehtësimit të jetës së qytetarëve pa asnjë dallim të çfarëdo lloji”, ka thënë ministri Krasniqi.
Izraeli edhe gjatë muajit prill të këtij viti i ka dhuruar Kosovës 93 karroca, gjatë vizitës së ministrit për Bashkëpunim Regjional të Izraelit, Esawi Frej në Kosovë.