Izraeli do ta përçajë aleancën perëndimore
Burimi: The Financial Times
Aktakuza për krime lufte ndaj Benjamin Netanyahut dhe Yoav Gallantit është një fatkeqësi për Izraelin. Është gjithashtu një problem i madh për aleancën perëndimore.
Izraeli po gëzon mbështetje të plotë dypartiake në Shtetet e Bashkuara, ndërsa përpiqet të kundërshtojë akuzat e Gjykatës Penale Ndërkombëtare [GjPN] kundër kryeministrit dhe ish-ministrit të Mbrojtjes. Megjithatë, shumica e qeverive në BE, si edhe ato të Britanisë, Australisë dhe Kanadasë, ka gjasa të respektojnë padinë. Përkundër hezitimit, ato do të duhet të arrestojnë Netanyahun nëse ai shkel në territorin e tyre.
Edhe në kohë normale, kjo përçarje midis ShBA-së dhe aleatëve të saj kryesorë do të ishte shumë e vështirë. Por, këto nuk janë kohë normale. Donald Trump, i cili do të marrë detyrën si president më 20 janar, ka premtuar tashmë të ndërmarrë veprime që kërcënojnë thellësisht interesat e miqve të Amerikës.
Trump ka premtuar të vendosë tarifa prej 10-20 për qind, të cilat do të dëmtojnë eksportuesit evropianë dhe aziatikë. Angazhimi i tij ndaj aleancës së NATO-s është vënë në pikëpyetje. Po ashtu, plani i tij për një marrëveshje paqeje me Rusinë mund të rrezikojë sigurinë e Evropës.
Një tjetër konfrontim i ashpër transatlantik – kësaj here për Izraelin – është gjëja e fundit që i duhet aleancës perëndimore. Por, pikërisht kjo po ndodh.
Disa ministra izraelitë tashmë parashikojnë me kënaqësi se administrata Trump do të lejojë Izraelin të aneksojë zyrtarisht pjesë të pushtuara të Bregut Perëndimor dhe të Gazës. BE-ja do ta konsideronte një veprim të tillë si të rrezikshëm dhe të paligjshëm.
Administrata Trump pothuajse me siguri do të shtyjë përpara sanksionet kundër prokurorit dhe stafit të GjPN-së. Gjithashtu, në rrethet republikane po diskutohet për shkatërrimin e gjykatës, ndoshta duke kërcënuar me sanksione vendet që e financojnë atë. Japonia, Gjermania, Franca dhe Britania janë katër kontribuuesit më të mëdhenj të GjPN-së.
As Izraeli dhe as ShBA-ja nuk duken të interesuara të merren në detaje me akuzat konkrete të aktakuzës, të cilat përfshijnë pretendimet se Izraeli ka vrarë civilë dhe ka përdorur “urinë si mjet lufte”. Në vend të kësaj, e djathta trumpiste mbështet pretendimin e Netanyahut se GjPN-ja drejtohet nga antisemitizmi. Injorohet fakti që gjykata ka ngritur aktakuza edhe kundër Vladimir Putinit, Hamasit dhe liderëve të shumtë afrikanë, ndërsa gjykata dhe mbështetësit e saj evropianë do të damkosen si urrejtës të hebrenjve.
Realiteti është se shumica e qeverive evropiane kanë mbështetur fuqishëm Izraelin që nga mizoritë e Hamasit më 7 tetor 2023. Kohët e fundit, Britania dhe Franca kanë marrë pjesë në aksionet ushtarake për të mbrojtur Izraelin kundër raketave iraniane.
Disa vende të BE-së, si Gjermania, janë aq të përkushtuara ndaj Izraelit, saqë mund të shkëputen nga Gjykata Penale Ndërkombëtare [GjPN], pavarësisht pranimit të legjitimitetit të saj. Megjithatë, instinkti i shumicës së vendeve evropiane është të kombinojnë mbështetjen për të drejtën e Izraelit për vetëmbrojtje me mbështetjen për një sistem ligjor ndërkombëtar që zbaton rregullat e luftës.
Çështjet në diskutim shtrihen përtej pyetjes së menjëhershme për krimet e mundshme të luftës në Gazë. Shumica e demokracive me madhësi të mesme në Evropë dhe në Azi e kuptojnë rrezikun e rikthimit në një botë ku fuqitë e mëdha dhe klientët e tyre veprojnë pa pasoja.
Disa shkelje të së drejtës ndërkombëtare – si shpërfillja e një vendimi të Organizatës Botërore të Tregtisë – mund të mos duken shumë të tmerrshme. Por, Rusia tashmë ka demonstruar se shpërfillja e së drejtës ndërkombëtare mund të nënkuptojë pushtimin e territoreve, rrëmbimin e fëmijëve dhe masakrimin e civilëve.
Legjitimiteti i fushatës ndërkombëtare për të penguar agresionin rus bazohet mbi të drejtën ndërkombëtare, ku aktakuza e GjPN-së kundër Putinit është një çështje qendrore. Nëse Amerika, e cila përshëndeti aktakuzën kundër Putinit, tani kthehet kundër GjPN-së – dhe rendit juridik ndërkombëtar që ajo përfaqëson – atëherë shanset për të bindur botën skeptike që të zbatojë sanksione kundër Rusisë, Iranit apo Koresë së Veriut zvogëlohen ndjeshëm.
Përplasja e re midis ShBA-së dhe aleatëve të saj për Izraelin është pjesë e një debati shumë më të gjerë për të ardhmen e rendit botëror. John Ikenberry, nga Universiteti i Prinstonit, pohon se Trumpi po e shndërron ShBA-në në një shtet revizionist që sfidon çdo element të rendit ndërkombëtar liberal që dikur ndërtoi: tregtinë e lirë, hapjen ndaj emigracionit, multilateralizmin, aleancat e sigurisë, solidaritetin midis kombeve demokratike dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
GjPN-ja është një shtesë relativisht e re në sistemin juridik ndërkombëtar, duke filluar funksionimin në vitin 2002. ShBA-ja, Rusia, Kina, India dhe Izraeli nuk janë ndër 124 vendet që kanë pranuar juridiksionin e gjykatës. Por, shkatërrimi i saj i qëllimshëm do të dërgonte një mesazh të rrezikshëm – në një kohë kur fuqitë autoritare janë gjithnjë e më të sigurta për të nisur luftëra dhe për të kryer shkelje të të drejtave të njeriut.
Si vendi më i fuqishëm në botë, Amerika mund të ndiejë se thirrja ndaj ligjit dhe institucioneve ndërkombëtare është diçka që vetëm evropianët e dobët kanë nevojë të bëjnë. Por, edhe ShBA-ja e fuqishme ka nevojë për aleatë dhe rregulla globale.
Koalicionet që Amerika po ndërton kundër Rusisë dhe Kinës bazohen rreth apelit ndaj të drejtës ndërkombëtare. ShBA-ja ka përdorur justifikime ligjore për të mbështetur kundërshtimin e saj ndaj Kinës në Detin e Kinës Jugore dhe ndaj Rusisë në Ukrainë. Edhe rusët dhe kinezët gjithmonë përpiqen të pretendojnë se po veprojnë në përputhje me rregullat globale. Ata e dinë se shkelja e hapur e së drejtës ndërkombëtare ia humb një vendi aleatët dhe e ekspozon atë ndaj sanksioneve.
E drejta ndërkombëtare mund të jetë frustruese dhe funksionimi i saj mund të duket i pasistemuar. Por, një botë pa ligj do të jetë një vend i frikshëm dhe i rrezikshëm. /Telegrafi/