Izraeli do të blejë 10 mijë armë të gjata për t’i armatosur ekipet civile
Ministri i Sigurisë Kombëtare i Izraelit, Itamar Ben Gvir, ka bërë me dije se kjo ministri do të blejë 10 mijë ramë të gjata për t’i armatosur ekipet civile të sigurisë, më saktësisht ato që ndodhen në qytezat afër kufijve, në qytetet me popullsi të përzier hebreje e arabe si dhe në vendbanimet e Bregut Perëndimor.
Ben Gviri, që e udhëheq partinë e së djathtës ekstreme, Otzma Yehudit, ka thënë se katër mijë armë të gjata sulmuese tashmë janë blerë nga një prodhues izraelit dhe do të shpërndahen menjëherë, raporton gazeta “The Times of Israel”.
Janë siguruar edhe helmeta e jelekë anti-plumb, që do të shpërndahen bashkë me armët e gjata sulmuese, raporton gazeta izraelite.
Sipas ministrit, armët dhe pajisjet do të shpërndahen në “qindra qyteza që kanë ekipe civile të sigurisë që janë të lidhura me Policinë e Izraelit dhe me Policinë Kufitare”.
Ekipet civile të sigurisë ofrojnë siguri në qyteza dhe komunitete të vogla në pjesët periferike të Izraelit si dhe në vendbanimet e Bregut Perëndimor. Disa prej tyre kanë ndihmuar që të mbrohen banorët nga sulmi i Hamasit të shtunën.
“Do ta kthejmë botën përmbys që qytezat të jenë të mbrojtura. Kam dhënë udhëzime për armatosje massive të ekipeve civile të sigurisë”, ka thënë ministri Ben Gvir.