Izraeli do të ndalojë udhëtimet për në ShBA
Qeveria izraelite ka vendosur që të ndalojnë udhëtimet për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA), Kanada dhe tetë shtete të tjera, pas përhapjes së shpejt në mbarë botën të variantit të ri të koronavirusit, Omicron.
Vendimi për të ndaluar udhëtimet për në ShBA vjen në kohën e rritjes së infektimeve në Izrael. Në listën e ndalimit të udhëtimeve bëjnë pjesë edhe shtetet evropiane dhe nëse shtetasit izraelitë vizitojnë këto vende, me t’u kthyer në shtet, duhet të izolohen.
Ky vendim i Qeverisë izraelite duhet të miratohet edhe në një komitet parlamentar në mënyrë që të bëhet i plotfuqishëm. Nëse Parlamenti voton për një masë të tillë, atëherë kufizimet do të hyjnë në fuqi në mesnatën e së mërkurës.
Në javët e fundit, Izraeli është përballur me rritjen e rasteve me koronavirus dhe për shkak të variantit të ri, Omicron ka nisur që të mbyllë kufijtë dhe të vendosë kufizime në udhëtime.
Shtetasit e huaj nuk lejohen që të hyjnë në Izrael dhe të gjithë izraelitët që vijnë nga jashtë duket të izolohen, përfshirë edhe personat e vaksinuar.
Në listën për ndalimin e udhëtimeve Izraeli ka përfshirë edhe Belgjikën, Gjermaninë, Hungarinë, Italinë, Marokun, Portugalinë, Zvicrën dhe Turqinë.
Izraeli është ndër shtetet që ka imunizuar më së shumti popullatën kundër koronavirusit. Deri më tani mbi 4 milionë nga 9.3 banorë të Izraelit kanë marrë dozën e tretë të Pfizer/BioNTech.
Ndërsa më 19 dhjetor, kryeministri izraelit, Naftali Bennett u ka bërë thirrje prindërve që të vaksinojnë fëmijët e tyre pasi tha se shteti veçse është duke u përballur me valën e pestë të pandemisë.
Deri më tani, Izraeli ka regjistruar 175 raste me variantin e ri të Covid-19, Omicron.