Izraeli do të vazhdojë kontributin në rindërtimin e banesave në Shqipëri
Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, ka pritur të mërkurën në takim me ambasadorin e Izraelit, Noah Gal Gendler, me rastin e fillimit të detyrës së tij në Shqipëri.
Ruçi e ka uruar ambasadorin Gendler për misionin e tij në Shqipëri dhe ka vënë në dukje se marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Izraelit janë të shkëlqyera e se ato bazohen në një histori të gjatë miqësie, sakrificash dhe respekti reciprok midis të dy popujve.
Po ashtu, kryetari i Kuvendit ka vënë në dukje perspektivën e gjerë të bashkëpunimit midis të dy vendeve, në mjaft fusha si në bujqësi, hoteleri, turizëm, etj.
Ruçi e ka falënderuar ambasadorin Gendler për kontributin shumë të çmuar të ekspertëve izraelitë në verifikimin e dëmeve të tërmetit të 26 nëntorit dhe kërkoi që ndihma e Izraelit të vazhdojë edhe për periudhën e rindërtimit.
Ndërsa ambasadori Noah Gal Gendler, ka shprehur mirënjohjen për konsideratat e larta të popullit të autoriteteve të Shqipërisë për shtetin dhe qytetarët e Izraelit dhe ka nënvizuar se sakrificat e shqiptarëve për hebrenjtë nuk do të harrohen kurrë.
Gendleri ka bërë me dije se Izraeli do të vazhdojë të kontribuojë edhe në fazën e rindërtimit të banesave të dëmtuara nga tërmeti.