Izraeli drejt zgjedhjeve të reja, qeveria shpërben parlamentin
Zyra e kryeministrit izraelit, Naftali Bennett njoftoi të hënën se koalicioni i tij i përbërë nga tetë parti do të shpërbëhet dhe vendi do të shkojë në zgjedhje të reja parlamentare.
Zgjedhjet, që priten të mbahen në tetor ose nëntor, do të ishin të pestat në Izrael në tre vitet e fundit. Bennett u mundua të mbajë së bashku koalicionin e tij të tetë partive që kur mori detyrën një vit më parë, por largimet e kanë lënë aleancën pa një shumicë në parlament për më shumë se dy muaj.
Bennett dhe partneri i tij kryesor i koalicionit, Yair Lapid, vendosën të paraqesin një votim për të shpërndarë parlamentin në ditët në vijim, tha zyra e Bennett. Më pas ministri aktual i jashtëm i Izraelit, Yair Lapid do të shërbejë si kryeministër i përkohshëm.
Njoftimi i së hënës vjen pas javësh spekulimesh se koalicioni – më i larmishëm në historinë e Izraelit – ishte në prag të kolapsit. Ish-kryeministri dhe lideri aktual i opozitës, Benjamin Netanyahu, i cili aktualisht është në gjyq për akuzat e korrupsionit, u zotua të rrëzojë koalicionin dhe të kthehet në pushtet.
Netanyahu tha se shpërbërja e afërt e parlamentit ishte “lajm i madh” për miliona izraelitë dhe tha se ai do të formonte “një qeveri të gjerë nacionaliste të kryesuar nga Likud” pas zgjedhjeve të ardhshme.
Sondazhet kanë parashikuar se partia “Likud” e Netanyahut do të shfaqet sërish si partia më e madhe në vend. Por mbetet e paqartë nëse ai do të ishte në gjendje të merrte mbështetjen e nevojshme të shumicës së ligjvënësve për të formuar një qeveri të re.