Izraeli godet objektivat e Hezbollahut në Liban
Ushtria izraelite thotë se avionët e saj luftarakë po godasin objektivat e Hezbollahut në Liban pasi zbuluan lëvizje për të lëshuar raketa në Izrael.
“Në një akt vetëmbrojtjeje për të hequr këto kërcënime, IDF (Forcat e Mbrojtjes së Izraelit) po godet objektivat”, tha zëdhënësi i IDF, Daniel Hagari.
Izraeli tha se civilët libanezë ishin paralajmëruar që të largoheshin menjëherë nga zonat ku vepronte Hezbollahu, një grup mysliman shiit i mbështetur nga Irani.
Menjëherë më pas, Hezbollah tha se kishte nisur një sulm në shkallë të gjerë me dron mbi Izraelin në përgjigje të vrasjes së muajit të kaluar të komandantit të lartë ushtarak të grupit.
Në një deklaratë, IDF tha se Hezbollahu “sapo ka lëshuar mbi 150 predha nga Libani drejt territorit izraelit”.
Ndërkohë, Hezbollahu tha se kishte lëshuar tashmë më shumë se 320 raketa Katyusha, duke thënë se po godiste 11 baza ushtarake dhe kazerma izraelite.
Komandanti i lartë ushtarak i grupit shiit u vra në një sulm ajror izraelit në kryeqytetin e Libanit Bejrut në korrik.
Izraeli ka shkëmbyer zjarr me grupin militant me bazë në Liban që nga fillimi i luftës tetorin e kaluar me Hamasin në Rripin e Gazës, shkruan BBC.