Izraeli i dërgon ofertë Hamasit: Një javë armëpushim për lirimin e 40 pengjeve
Izraeli i ka paraqitur një propozim Hamasit që përfshin një pauzë njëjavore në luftime në këmbim të lirimit të 40 pengjeve, sipas Barak Ravid, analist politik në CNN, duke cituar dy zyrtarë izraelitë dhe një burim tjetër me njohuri për këtë çështje.
Raportuar fillimisht nga Axios, propozimi synon lirimin e pengjeve që përfshijnë gra, të moshuar dhe ata që kanë nevojë për kujdes urgjent.
“Marrëveshja po i paraqitet Hamasit përmes ndërmjetësve të Katarit”, tha Ravid, transmeton Telegrafi.
Michael Herzog, ambasadori izraelit në Shtetet e Bashkuara, konfirmoi se Izraeli është i gatshëm të ndalojë luftimet nëse do të thotë të lirojë sa më shumë pengje të jetë e mundur, por nuk ka konfirmuar nëse një marrëveshje është arritur.
“Mendoj se është herët të thuhet nëse kemi apo jo një marrëveshje, sepse deri më tani, Hamasi po refuzon të bëjë një marrëveshje tjetër”, tha Herzog për CNN.
“Ata shpresojnë për një armëpushim të përhershëm, por unë shpresoj se nën presionin e asaj që po bëjmë në terren, plus presionin nga Katari, ata do të bien dakord të bëjnë një marrëveshje, por është e herët të thuhet në këtë fazë”, ai tha.
Hamasi ka bërë të qartë se nuk do të lirohen më pengje derisa të ketë një armëpushim.
Por ndërsa përpjekjet diplomatike vazhdojnë, kriza humanitare përkeqësohet çdo ditë. Gati 20,000 njerëz janë vrarë nga aksionet ushtarake izraelite në Gaza që nga 7 tetori, dhe më shumë se 52,000 janë plagosur, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të kontrolluar nga Hamasi.