Izraeli intensifikon sulmet, Gaza pa qasje në internet
28 tetor 2023
| 08:08
Banorët e Gazës janë pa qasje në internet dhe në shërbime tjera telefonike, pas rritjes së shkallës së bombardimeve izraelite në mbrëmjen e së premtes.
Mbi 2.3 milionë banorë të Gazës kanë mbetur pa asnjë linjë kontakti me pjesën tjetër të botës, teksa ushtria izraelite ka thënë se është duke e “zgjeruar” operacionin tokësor në këtë enklavë të rrethuar.
Njoftimi i ushtrisë izraelite është sinjal se forcat ushtarake të Izraelit janë edhe më afër pushtimit tokësor në Gazë, të cilat janë zotuar se do ta shkatërrojnë grupin militant Hamas, pas sulmeve që i ka kryer në tokën izraelite tri javë më parë.
Në deklarimin e së premtes, ushtria izraelite u ka bërë sërish thirrje banorëve të qytetit të Gazës që të shpërngulen në jug. Shpërthimet e fuqishme në Rripin e Gazës janë parë prej distancës, ka raportuar Associated Press.
Banorët e Gazës veçse janë që disa javë pa furnizime me ushqim, ujë dhe rrymë, por tani kanë mbetur në izolim të plotë.
Ofruesi palestinez i telekomunikimeve në Gazë, Palte, ka thënë se zona është pa asnjë shërbim për shkak të bombardimeve.
Ende nuk dihet nëse ka viktima nga sulmet e reja ajrore, për shkak të izolimit të zonës.