Izraeli kërcënon se mund ta kthejë Libanin në ‘Epokën e Gurit’
Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Yoav Gallant, ka paralajmëruar gjatë një vizite në Uashington se ushtria e vendit të tij është e aftë që Libanin “ta kthejë në Epokën e Gurit” në çfarëdo lufte me militantët e Hezbollahut.
Megjithatë, Gallanti ka këmbëngulur se qeveria parapëlqen një zgjidhje diplomatike për gjendjen në kufirin Izrael – Liban, raporton gazeta “The Times of Israel”.
“Ne nuk dëshirojmë luftë, por jemi të përgatitur për secilin skenar”, ka thënë Gallanti para gazetarëve gjatë një vizite katërditore në ShBA.
“Hezbollahu kupton shumë mirë që ne mund të shkaktojmë dëm masiv në Liban, nëse niset një luftë”, ka thënë ai.
Gallanti gjithashtu ka deklaruar se ka diskutuar me zyrtarë amerikanë për propozimet rreth qeverisjes së Gazës pas luftës, ku do të përfshiheshin palestinezët lokalë, partnerët rajonalë dhe ShBA-ja, por se ky do të jetë “proces i gjatë dhe kompleks”.