Izraeli mbështet Kosovën në fushën e shëndetësisë
Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Rifat Latifi, bashkë me ministrin për Bashkëpunim Regjional të Izraelit, Esawi Freji dhe me ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal të Kosovës, Elbert Krasniqi, kanë vizituar Shërbimin Spitalor të Kosovës, përkatësisht Klinikën e Pediatrisë.
Përpos ministrit të Izraelit, që është vizita e parë e një ministri izraelit në Kosovë, pjesë e delegacionit ishte edhe Simon Fisher, drejtor ekzekutiv i organizatës “Save the Child Hart” dhe mjekë të tjerë nga Izraeli.
Në këtë takim, ministri Latifi e ka informuar ministrin e Izraelitpër sistemin shëndetësor të Kosovës, në theks të veçantë për shërbimet në Klinikën e Pediatrisë (QKUK).
Ministri Latifi është shprehur i gatshëm për të bashkëpunuar me Qeverinë e Izraelit, pasi që të dy vendet kanë marrëdhënie të mira ndërshtetërore, ndërsa ka veçuar mbështetjen e Izraelit për shërimin e fëmijëve kosovarë.
Deri më tani, janë 6 fëmijë nga Kosova të cilët janë kuruar në Izrael, dhe për këtë ministri Latifi është shprehur mirënjohës për një kontribut të tillë.
Njëherësh ministri Latifi e ka falënderuar shtetin e Izraelit për kontributin e dhënë në përmirësimin e sistemit shëndetësor të Kosovës, duke thënë se pret që në të ardhmen ky bashkëpunim të intensifikohet në kuptim të shkëmbimit të përvojave të mjekëve dhe infermierëve dhe avancimit të shkathtësive të tyre klinike.
Ndërsa ministri për Bashkëpunim Regjional i Izraelit, Esawi Freji, ka thënë se Qeveria e Izraelit, e ka në prioritet bashkëpunimin dhe mbështetjen e Kosovës, duke i vlerësuar si të rëndësishme raportet miqësore dhe bashkëpunimin korrekt në mes Kosovës dhe Izraelit, sidomos për shërimin e fëmijëve nga sëmundje që nuk mund të trajtohen plotësisht në Kosovë.
Po ashtu, ministri Freji ka thënë se është shumë më rëndësi, që ministri Latifi, vjen nga profesioni mjekësor dhe gëzon një përvojë ndërkombëtare në shëndetësi.
“Jemi të gatshëm si kurdo herë që të kontribuojmë në përmirësimin jo vetëm të infrastrukturës shëndetësore, por edhe më përgatitjen e kuadrove shëndetësore kosovare”, ka thënë ai.
Pjesë e këtij delegacioni ishte edhe Simon Fisher, drejtor ekzekutiv i organizatës “Save the Child Hart”, i cili ka deklaruar se fëmijë të tjerë nga Kosova do të shërohen në Izrael, për probleme të ndryshme shëndetësore.
Kurse ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal të Kosovës, Elbert Krasniqi, ka falënderuar qeverinë dhe shtetin e Izraelit për të gjithë mbështetjen dhe kontributin e dhënë për Kosovën.
Në anën tjetër, drejtori i ShSKUK-së. Valbon Krasniqi, ka shprehur konsideratën e tij për delegacionin nga Izraeli, duke shpresuar në bashkëpunim dhe në mbështetje të vazhdueshme.