Izraeli merr nën kontroll kufirin në Rafah
Një brigadë tankesh izraelite kapi kontrollin të martën në anën e Rripit të Gazës të pikës kufitare me Egjiptin, Rafah, derisa Izraeli po lëvizte përpara me një ofensivë në qytetin jugor, edhe pse negociatat për armëpushimin me Hamasin mbeten në diskutime.
Ushtria izraelite ka thënë të martën se ka marrë kontrollin e pikëkalimit kufitar në Rafah, midis Gazës dhe Egjiptit, pjesë kjo e cila ka qenë jetike për dërgimin e ndihmave dhe daljen e njerëzve të plagosur nga lufta në Gazë.
Ushtria ka thënë se forcat po skanonin zonën në mëngjes pasi nisën një operacion tokësor dhe ajror në një pjesë të Rafahut lindor të hënën mbrëma, në mes të përpjekjeve diplomatike jashtë vendit për të arritur një armëpushim të ri.
Autoriteti i Kalimeve të Gazës ka thënë në një deklaratë se marrja e kontrollit nga Izraeli ishte një “dënim me vdekje” kundër banorëve të Gazës, veçanërisht të sëmurëve dhe të plagosurve.
Gjatë gjithë luftës shtatëmujore, Rafahu – i vetmi vendkalim që nuk drejtohet nga Izraeli- ka qenë linja kryesore e shpëtimit të popullatës palestineze prej 2.3 milionësh të Gazës, duke lejuar futjen e furnizimeve humanitare në Gazë dhe transportin e pacientëve jashtë saj në mes të mungesave të rënda dhe shkatërrimit të objekteve të kujdesit shëndetësor.
Ushtria izraelite ka thënë se një operacion i kufizuar në Rafah kishte për qëllim të vriste luftëtarët dhe të çmontonte infrastrukturën e përdorur nga grupi militant palestinez Hamas – i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Aleati më i afërt i Izraelit, SHBA-ja, ka këshilluar kundër ndërmarrjes së një sulmi në Rafah, qyteti që është streha e fundit për rreth gjysmën e popullsisë së Gazës, raporton Radio Evropa e Lirë.
Zyrtarët shëndetësorë palestinezë thanë se tanket dhe avionët izraelitë goditën disa zona në Rafah gjatë natës, duke vrarë 20 palestinezë dhe duke plagosur disa të tjerë gjatë goditjeve në të paktën katër shtëpi.
Banorët thanë se Izraeli kishte lëshuar fletushka të reja të martën, duke i paralajmëruar përsëri njerëzit të largoheshin nga zonat në lindje të Rafahut.
Tanket izraelite bombarduan gjithashtu zonat lindore në Beit Laha, Jabalia dhe Beit Hanun në veri të Rripit të Gazës, thanë banorët.
Ushtria izraelite tha se shumica e njerëzve dhe disa organizata ndërkombëtare ishin evakuuar nga zona e Rafahut lindor, ndërsa ka thënë se vrau rreth 20 luftëtarë dhe gjeti tri boshte tuneli.
Një vendkalim tjetër aty pranë, i kontrolluar nga Izraeli, Kerem Shalom, u mbyll të martën për arsye sigurie dhe do të rihapet sapo të lejojë situata e sigurisë, ka thënë ushtria.
Izraeli ka vrarë më shumë se 34.700 palestinezë në sulmet e tij ajrore, tokësore dhe detare në Gazë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë.
OKB-ja ka thënë se kriza e urisë që ka kapluar njerëzit në veri të Gazës po bartet edhe drejt jugut.
Lufta filloi kur militantët e Hamasit sulmuan Izraelin më 7 tetor, duke vrarë rreth 1.200 njerëz dhe duke rrëmbyer 252 të tjerë, nga të cilët 133 besohet se mbetën në Gazë, sipas të dhënave izraelite.