Izraeli ndaloi 294 herë ezanin në xhaminë e Ibrahimit
Autoritetet izraelite kanë ndaluar 294 herë thirrjen e ezanit në gjysmën e parë të vitit 2019 në xhaminë Haram al-Ibrahimi në qytetin El-Halil (Hebron) në Bregun Perëndimor.
Ministria palestineze e Vakëfeve dhe Çështjeve Fetare ka bërë me dije në një deklaratë se ezani në këtë xhami është ndaluar 51 herë vetëm brenda muajit qershor dhe 294 herë në përgjithësi që nga fillimi i vitit.
Në këtë deklaratë është theksuar se Izraeli çimenton praninë e saj brenda xhamisë Haram al-Ibrahimi dhe ndalon ezanin me pretekstin e festave hebreje dhe se kolonët hebrenj kanë prerë pemët e ullirit në oborrin e faltores dhe kanë sulmuar zyrtarët e xhamisë.
Sipas një ndalese të vendosur nga Izraeli, në Haram al-Ibrahimi që nga viti 1994 ezani nuk thirret në namazin e akshamit dhe jacisë të premteve, në namazin e sabahut, drekës, ikindisë dhe akshamit të shtunave dhe në namazin e akshamit ditëve të tjera.
Krahas kësaj, Izraeli ka ndalur thirrjen islame edhe në ditë të tjera me pretekstin e festave hebreje.
Në shpellën që ndodhet nën xhaminë Haram al-Ibrahimi në El-Halil, krahas varrit të profetit Ibrahim dhe bashkëshortes së tij, gjenden edhe varret e profetëve Ishak, Jakub, Jusuf dhe bashkëshorteve të tyre.
Xhamia, e cila gjendet në Bregun Perëndimor të pushtuar nga viti 1967 nga Izraeli është mbyllur menjëherë pasi më 25 shkurt të vitit 1994 një hebre fanatik hapi zjarr mbi myslimanët që po falnin namazin e sabahut dhe pas hapjes, xhamia u nda dhe pjesa më e madhe iu dedikua hebrenjve.
Varret ku gjenden profeti Ishak dhe bashkëshortja ra në pjesën e myslimanëve, kurse pjesa tjetër iu nda hebrenjve, konkretisht në pjesën që u shndërrua në sinagogë.
Gjatë masakrës, e cila në histori njihet si “Masakra në Xhaminë e El Halilit”, ishin vrarë 29 palestinezë dhe u plagosën mbi 150 të tjerë.
Pjesët e ndara të xhamisë hapen nga dhjetë ditë brenda vitit për vizita reciproke të myslimanëve dhe hebrenjve.
Në qytetin El-Halil, në veçanti përreth xhamisë Haram al-Ibrahimi, shpesh ndodhin përplasje midis ushtarëve izraelitë dhe palestinezëve. /Anadolu Agency (AA)/