Izraeli nderon gjashtë milionë hebrenjtë e vrarë gjatë Holokaustit
Sirenat janë ndezur në orët e hershme të së enjtes në Izrael, për të shënuar vrasjet e gjashtë milionë hebrenjve gjatë Holokaustit.
Njerëzit janë ndalur në vendet ku kanë qenë duke ecur dhe vozitësit kanë dalë nga makinat e tyre, për të ulur kokën si shenjë kujtimi për viktimat e gjenocidit të nazistëve.
Autoritetet izraelite kanë planifikuar një mori ngjarjesh për të shënuar këtë ditë.
Izraeli është themeluar më 1948 si vend i shenjtë për hebrenjtë, pas Holokaustit.
Rreth 165 mijë të mbijetuar jetojnë në këtë shtet.
Kryeministri izraelit, Naftali Bennett, ka thënë në orët e vona të së mërkurës se bota nuk duhet të krahasojë Holokaustin me ngjarje tjera në histori.
Ai ka bërë këto deklarata pasi presidentët e Ukrainës dhe Rusisë kanë ngritur paralele të luftës aktuale dhe gjenocidit gjatë Luftës së Dytë Botërore.
“Teksa vitet kalojnë, po shtohet diskursi në botë që krahason ngjarjet tjera të vështira me Holokaustin. Por jo. Asnjë ngjarje në histori, sado mizore që mund të ketë qenë, nuk krahasohet me shfarosjen e hebrenjve të Evropës nga nazistët dhe bashkëpunëtorët e tyre”, është shprehur ai.
Ai po ashtu ka paralajmëruar shtetin që të mos lejohen ndasitë e mëdha.
Fjalimi i kryeministrit izraelit është bërë edhe në kohën kur familja e tij ka pranuar një letër me një plumb dhe kërcënime me vdekje.
Autoritetet izraelite kanë rritur sigurinë rreth perimetrit të familjes së tij dhe janë duke hetuar rastin./REL