Izraeli ndërton ‘kube kibernetike’ për t’u mbrojtur nga hakerët iranianë
Sistemi i mbrojtjes Iron Dome prej kohësh e ka mbrojtur Izraelin nga raketat.
Tani Izraeli ka njoftuar se po ndërton ‘kube’ për t’u mbrojtur nga sulmet kibernetike, e veçanërisht nga ato që i vijnë nga Irani.
“Është një luftë e heshtur, nuk është e dukshme”, tha Aviram Atzaba, kreu i Drejtorisë Kombëtare Kibernetike të Izraelit.
Bëhet e ditur se ndërsa Izraeli ka luftuar me Hamasin në Gazë që nga 7 tetori, ai është përballur edhe me një rritje të konsiderueshme të sulmeve kibernetike.
“Ata po përpiqen të hakojnë gjithçka që munden”, tha Atzaba duke theksuar se që nga shpërthimi i luftës izraelitët janë përballur me 800 sulme kibernetike, të drejtuara kryesisht te organizatat qeveritare, infrastruktura ushtarake dhe ajo civile.
Madje, disa prej sulmeve nuk mund të parandaloheshin, duke përfshirë sulmet në spitalet e vendit në të cilat u vodhën të dhënat e pacientëve, shkruan yahoonews, përcjell Telegrafi.
Siç raportohet, dy vitet e fundit Izraeli ka punuar për të ndërtuar një sistem të centralizuar që punon në mënyrë proaktive dhe mbron hapësirën kibernetike të vendit.
Por, Izraeli bashkëpunon edhe me SHBA-në dhe aleatë të tjerë të cilët përballen me “terrorizëm kibernetik”.
“Duhet një rrjet për të luftuar një rrjet”, tha Atzaba.
“Armiku i Izraelit, Irani, është mbresëlënës në luftërat në internet”, tha Chuck Freilich, studiues në Institutin për Studime të Sigurisë Kombëtare.
“Sulmet e tij synojnë të sabotojnë dhe shkatërrojnë infrastrukturën, por edhe të mbledhin të dhëna dhe të përhapin informacione të rreme për qëllime propagandistike”, shtoi Freilich.
Ndryshe, Irani ka fituar një ekspertizë të konsiderueshme për t’u bërë një nga vendet “më aktive në hapësirën kibernetike” që nga sulmi i shtatorit të vitit 2010 që shkaktoi dëme fizike në programin bërthamor të Teheranit.
“Vitet e fundit ne kemi zhvilluar kube kibernetike kundër sulmeve, të cilat funksionojnë si Kupola e Hekurt kundër raketave”, tha Atzaba.