Izraeli pajtohet për rinisjen e bisedimeve për armëpushim në Gazë
Izraeli është pajtuar që bisedimet për një armëpushim në Gazë të rinisin më 15 gusht me kërkesë të ndërmjetësve nga Shtetet e Bashkuara, Katari dhe Egjipti.
Kështu bëri të ditur zyra e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, teksa tensionet në rajon janë rritur.
Pas një pauze njëjavore në nëntor të vitit të kaluar, ndërmjetësit nga SHBA-ja, Katari dhe Egjipti janë përpjekur që të arrihet edhe një marrëveshje armëpushimi për luftën që nisi më 7 tetor pasi Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian – sulmoi Izraelin.
Përmes një deklarate të përbashkët, SHBA-ja, Katari dhe Egjipti ftuan palët e përfshira në konflikt që të rinisin bisedimet më 15 gusht në Doha apo Kajro “me qëllim që të tejkalohen ndasitë dhe marrëveshja të nisë së zbatuari pa vonesa”.
Një marrëveshje-kornizë “tani është në tavolinë dhe vetëm detajet e zbatimit” kanë mbetur pa u zgjidhur dhe ndërmjetësit janë “të përgatitur të paraqesin një propozim final” për të zgjidhur çështjet e mbetura, u tha në deklaratë.
Pas kësaj deklarate, zyra e Netanyahut njoftoi se Izraeli do të dërgojë një ekip negociator më 15 gusht “për të përfunduar punën lidhur me detajet e marrëveshjes për zbatim”.
Marrëveshja e propozuar e armëpushimit përfshin lirimin e pengjeve që mbahen në Gazë, rritjen e dërgesave me ndihmë humanitare dhe është paraparë të zbatohet me faza.
Diskutimet e fundit janë përqendruar në kornizën e paraqitur nga presidenti amerikan, Joe Biden, në fund të majit, që tha se është propozuar nga Izraeli.
Njoftimi për bisedimet u bë pasi Hamasi emëroi Yahya Sinwarin – arkitektin e dyshuar të sulmit të 7 tetorit – në postin e liderit, duke nxitur frikë se negociatat mund të bëhen edhe më të vështira.
Diplomatët po bëjnë përpjekje të ulin tensionet në rajon, të cilat u rritën pas vrasjes së shefit politik të Hamasit, Ismail Haniyeh, dhe një komandat të lartë të Hezbollahut – grupit libanez të shpallur terrorist nga SHBA-ja – vrasje për të cilat është fajësuar Izraeli.
Irani është zotuar se do të hakmerret ndaj Izraelit për Haniyehun, i cili u vra në Teheran. Por, Izraeli nuk ka marrë përgjegjësinë për vrasjen e shefit të Hamasit.
Gjatë sulmit të 7 tetorit, Hamasi vrau afër 1.200 persona dhe rrëmbeu afër 250 të tjerë. Në kundërpërgjigje të sulmit të 7 tetorit, Izraeli nisi një ofensivë ushtarake në Gazë, nga e cila deri më tani janë vrarë afër 40.000 persona, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në enklavën palestineze./REL